Kineasti Muarrem Fejzo është ndarë nga jeta. Lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të regjisorit të njohur e ka dhënë në rrjetet sociale djali i tij.

“Lamtumirë babo. Pusho në paqe në krahët e të madhit Zot, e të gjithë të dashurve atje sipër. Më fal që nuk të përkëdhela dot, e s’të dhashë dot një gotë ujë, nuk meriton një ikje të tillë. Artisti ynë. Miku ynë. Babai i përgjëruar. Bashkëshorti i jetës”,  shkruan ai.

Për vdekjen e Fejzos reagoi edhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit. Në një postim në faqen zyrtare të Arkivit në Facebook thuhet se veprat e tij kinematografike do të mbeten s material studimi për kineastët e tij.

“Në këto kohë të çuditshme na bëhet më e vështirë lamtumira për mjeshtrin, artistin e shumë arteve, kineastin Muharrem Fejzo. Veprat e tij kinematografike si dhe skenarët e parealizuar do të mbeten në fondin e artë të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit si material studimi për kineastët e rinj. Lamtumirë mjeshtër”, thuhet në reagimin e Arkivit.

Muharrem Fejzo lindi në Kolonjë në vitin 1933. Fejzo bëri praktikë si sufler në Teatrin Popullor në Tiranë. Ai gjithashtu kreu studimet në degën e aktrimit dhe nga pasioni i madh që kishte për kinemanë, Muharrem Fejzo kontribuoi si grimier në disa nga filmat e parë shqiptarë. Vite më vonë u bë drejtori i Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Kukësit.

Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) të Mithat Fagut dhe “Njësiti Guerril” (1969) të Hysen Hakanit. Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin “Kapedani”, komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare.

Gjatë karrierës së tij, regjisori Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden: Operacioni “Zjarri” (1973) dhe “Mësonjëtorja” (1979). Filmin e tij të fundit “Muri i gjallë”, Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989./tvklan.al