Ndërron jetë në moshën 78-vjeçare këngëtarja dhe aktorja e njohur Marianne Faithfull. Lajmi është konfirmuar për mediat e huaja nga zëdhënësi i saj.

“Me pikëllim të thellë njoftojmë vdekjen e këngëtares, kompozitores dhe aktores Marianne Faithfull. Marianne u nda nga jeta e qetë sot në Londër, pranë familjes së saj të dashur. Ajo do të mungojë shumë”, thuhet në deklaratë.

Faithfull ishte e njohur për hitet e saj të viteve 1960, duke përfshirë “As Tears Go By”, e cila u shkrua nga Keith Richards dhe “Mick Jagger” të The Rolling Stones. Karriera e saj në muzikë nisi që në moshën 16-vjeçare, ku me zërin e saj spikati në skenat më të mëdha ndërkombëtare. E ndjera ishte protagoniste në tregun muzikor për më shumë se 50 vjet.

Marianne Faithfull përveçse këngëtare, ishte dhe një aktore mjaft e njohur. Ajo ka luajtur në filmin “Girl on a Motorcycle” që doli në vitin 1968, filmin “Hamlet” dhe në shumë të tjerë.

Në vitin 1960 ajo kishte rënë preh e varësisë nga droga. Më pas në vitin 2021 publikoi një album të ri. Jo vetëm një periudhë suksesi, ky vit për të ishte dhe një sprovë, pasi këngëtarja kaloi një infeksion të rëndë nga virusi famëkeq Covid-19.

Historinë e saj të trazuar, me gëzime, peripeci, suksese e dështime ajo e shkroi në një libër i cili u publikua në vitin 1994. Ndërkohë që biografia e saj u vendos në skenë, ku në vitin 2020 për të u bë një film. Ylli i “Bohemian Rhapsody”, Lucy Boynton luajti rolin e Faithfull. Në atë kohë këngëtarja u shpreh shumë e kënaqur që biografia e saj u interpretuar nga kasti i aktorëve të ëndrrave të saj./tvklan.al