Një ushtar i plagosur i Koresë së Veriut i kapur nga forcat ukrainase ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra sipas agjencisë së spiunazhit të Koresë së Jugut.
Sipas kësaj të fundit ushtari i Koresë së Veriut i dërguar për të mbështetur luftën e Rusisë kundër Ukrainës ishte ndaluar nga forcat ukrainase. Një fotografi e ushtarit koreano-verior e tregon atë të dobësuar dhe të plagosur.
Konfirmimi erdhi disa ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se gati 3,000 ushtarë të Koresë së Veriut ishin vrarë ose plagosur qëkur ata iu bashkuan trupave ruse në luftime.
Forcat ukrainase deklaruan se ushtarët e Koresë së Veriut janë pajisur me ID të rreme ruse.
Për ekspertët, është më e dobishme për ukrainën të kapin këto trupa të Koresë së Veriut dhe të përpiqen t’i shkëmbejnë me ukrainasit qe mbahen peng nga Rusia.
Koreja e Veriut ka dërguar më shumë se 10,000 ushtarë për të ndihmuar Rusinë, sipas Kievit dhe Seulit – megjithëse Moska dhe Pheniani nuk e kanë konfirmuar dhe as mohuar praninë e tyre. Mijëra trupa besohet se janë vendosur në rajonin Kursk të Rusisë.
Klan News