Specialistet: Tregoni kujdes. Më të riskuarit të marrin vaksinën anti-grip
Ndryshimi i temperaturave ka shtuar pacientët që paraqiten në poliklinikat e kryeqytetit për të kërkuar ndihmën e mjekut. Temperatura e lartë apo dhimbja e kokës tek moshat e ndryshme janë vetëm disa prej simptomave sipas mjekes Luiza Metani.
“Paraqiten me temperaturë të lartë, me dhimbje fyti, me dhimbje koke, me djersë dhe në raste të rralla japin komplikacione. Grupmoshat më të prekura nga virozat e stinës janë fëmijët më pak se 5 vjeç dhe të rriturit mbi 60 vjeç dhe pacientët që janë me imunitet të ulët, me sëmundje të zemrës, sëmundje kronike etj. Personat që janë me imunitet të ulët zakonisht japin komplikacione, bronshiti, pneumoni, është më e zakonshme në grupmoshat mbi 65 vjeç dhe me sëmundje kronike”, është shprehur mjekja e familjes Luiza Metani.
Duke qene se jemi në periudhën e vjeshtës mjekët rekomandojnë edhe kryerjen e vaksinës anti-grip, veçanërisht për kategoritë më të rikskuara
“Zakonisht aplikohen në muajin Tetor vaksinat anti-grip. Ne ia rekomandojmë të gjithë personave që janë mbi 65 vjeç dhe grupi i parë janë personat me sëmundje kronike. Personat që vaksinohen me vaksinën Anti-grip i kalojnë shumë më lehtë sesa pacientët që nuk vaksinohen”, ka thënë mjekja.
Gjatë kësaj periudhe mjekët apelojnë që personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe fëmijët duhet të bëjnë kujdes për shkak të ndryshimit të temperaturave.