Sezoni i dimrit sjell edhe bashkëqarkullimin e virozave të ndryshme. Gripi, Covid-19 dhe forma të viruseve janë të pranishme në popullatë duke shkaktuar raste të shumta me sëmundjet respiratore. Mjekja Bruna Shiroka thekson disa herë në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se ardhja te mjeku apo mbajtja e kontaktit me të është e nevojshme që situata të mos kalojë në nivele alarmante.
Ajo vëren se ka një ndryshim në grupmoshat që paraqiten pasi mbizotërojnë fëmijët mbi 7 vjeç dhe të rinjtë.
Bruna Shiroka: Rëndom komplikacione po shoh në moshat e reja dhe në fëmijët e moshave mbi 7 vjeç.
Aldo: Moshat e reja e ke fjalën për gjimnazistët?
Bruna Shiroka: Moshat e reja 20, 30, 40, te këto grupmosha kam parë forma më të rënda, kam parë pneumoni, bronkopneumoni të avancuara.
Aldo: Po pse?
Bruna Shiroka: Nuk di ta them, është agresiviteti i virusit, është imuniteti i ulët, është moskujdesja, unë nuk di ta them cili nga këto tre faktorë ndikon.
Shiroka shprehet se vaksinat gjithashtu kanë dhënë rezultat pozitiv në grupmoshat më të vjetra.
Bruna Shiroka: Rastet më të shumta që ne shohim, janë fëmijët e grupmoshës 7-10, 10-14 vjeç dhe pastaj grupmoshat e reja 20-40 vjeç, janë masivisht në qendra. Për hir të së vërtetës, pensionistët, të moshuarit apo pacientët e vaksinuar kanë qenë më të paktë në numër nga ato që kemi parë në prurjet ditore të pacientëve të infektuar, pra vaksina vlen./tvklan.al