Një foshnje erdhi në jetë në një gomone të mbushur me emigrantë që po lundronte nga Afrika në drejtim të Ishujve Kanarine, kanë raportuar rojet bregdetare spanjolle.

Ata kanë publikuar një foto të fëmijës në krahët e nënës së tij dhe i rrethuar nga dhjetëra emigrantë. Gomonia u vu re për herë të parë më 6 janar, pranë ishullit Lanzarote.

Kapiteni i varkës së shpëtimit tha se ishin në dijeni që në bord ndodhej një grua shtatzënë, por u habitën kur gjetën “një foshnje lakuriq që kishte lindur 10, 15 apo 20 minuta më parë”.

Domingo Trujillo u shpreh se kur arritën te gomonia, nëna ishte e shtrirë ndërsa fëmija gjendej në krahët e një personi tjetër. Ekipi mendon se arritën te mjeti i lundrimit pak pas lindjes së fëmijës në ditën që Spanja feston Epifaninë, një festë ku fëmijët marrin dhurata.

Sipas udhëzimeve mjekësore,fëmija dhe nëna u transportuan me helikopter në spitalin e Lanzarote. Autoritetet nuk kanë raportuar për ndërlikime.

Kalimi i oqeanit nga Afrika drejt Ishujve Kanarine është tejet i rrezikshëm. Mbi 46.800 emigrantë klandestinë e përshkuan këtë rrugë vitin e shkuar për të shkuar drejt ishujve, kanë pasqyruar të dhënat e qeverisë spanjolle./tvklan.al