Klasikja e futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia është kryesfida e javës së 29-të në Superligën shqiptare. Një duel me objektiva totalisht të kundërta për dy skuadrat që kanë shkruajtur historinë në vendin tonë. Rritja e nivelit të lojës së bardhebluve ka trembur disi teknikun e shkodranëve, Thomas Bërdariç.
“Është një derbi që luhet për tu fituar. Do të rregullojnë diçka në aspektin taktik për të qënë gati për Tiranën. Është një ndeshje shumë e vështirë. Kemi luajtur mirë këtë sezon kundër tyre. Duhet të jemi më të fokusuar, për të qënë të qetë në sulm dhe mbrojtje. Tirana është një skuadër e mirë. Bën një lojë interesante dhe në ndeshjet e fundit ka treguar nivel të lartë, ku ka marrë edhe rezultate”, tha Thomas Bërdariç.
Shpresat e Vllaznisë për një rezultat pozitiv varen edhe nga cilësitë e Bekim Balaj. Fituesi i Topit të Artë 2024 kryeson garën për golashënues në Superligë, teksa nuk ka arritur të gjej golin në 5 ndeshjet e fundit. Ecuri që kërkon ta thyej pikërisht ndaj Tiranës.
Bardheblutë janë pre e preferuar për 34-vjeçarin. Në 3 duelet e tjera të këtij sezonit Balaj ka mundur t’u shënojë kryeqytetasve plot 6 gola.
Nga 2 gola në secilën prej tyre, teksa të njëjtën gjë do të tentojë ta bëjë sërish ndaj ekipit të Bledi Shkëmbit, për të prishur në një farë mënyrë edhe “agjërimin” e sfidave të fundit. Tirana dhe Vllaznia do të zbresin në fushën e “Elbasan Arena” këtë të martë në orën 16:30.
Klan News