Derbi i kryeqytetit, Tirana-Dinamo është kryesfida e javës së 27-të në Superligën shqiptare. Një përballje që përpos historisë vlen shumë për objektivat e dy skuadrave.

Për teknikun e bardhebluve, Bledi Shkëmbi sfida ndaj Dinamos do shërbejë si trampolinë për t’iu larguar pozicioneve të fundit të renditjes.

“Pozitat nuk janë të favorshme. Patjetër që duhet të jemi në maksimumin tonë, pavarësisht ky kampionat po na tregon që nuk ka ndonjë indifference nga kundërshtarët, pra mund të të mund dhe ajo skuadër që ti ndoshta e mendon pak më të dobët, aq më tepër që Dinamo është një skuadër goxha e fortë, një skuadër që ka bërë mirë, një skuadër që ka moral sepse është dhe kualifikuar në Kupë si rezultat i 0-2 në ndeshjen e parë, por ajo që duam ne që po bëjmë gjatë gjithë javës është që të jemi në maksimumin tonë dhe të gabojmë sa më pak”, tha Bledi Shkëmbi.    

Në kampin tjetër, Dinamo e Ilir Dajës synon pikët maksimale për të blinduar pozicionin në zonën final-four.

“Derbi është një ndeshje që luhet për tifozë por që neve trajnerët kemi të vetmin problem vetëm menaxhimin, për me mos kalu atë presion që e ka derbi në vetvete dhe sigurisht për të ruajtur ekuilibrat se në përgjithësi derbet fitohen nga episodet, pavarësisht se edhe Tirana edhe neve kërkojmë të bëjmë një lojë të hapur dhe asnjëra nga të dyja ekipet nuk kërkon që të shkojë drejt barazimit dhe barazimi nuk i bën punë asnjë ekipi”, tha Ilir Daja.  

Historia flet në favor të Tiranës, ndërsa në dy takimet e këtij sezoni, Dinamo ka regjistruar një fitore dhe një barazim.

Klan News