Tirana ringjall shpresat e mbijetesës në Superligën Shqiptare. Pas dy humbjeve radhazi, bardheblutë arritën që të thyenin mallkimin dhe të merrnin 3 pikët me fitoren 4-1 kundër Laçit. Një fitore tepër e lehtë për skuadrën e teknikut, Bledi Shkëmbi, i cili më në fund çlirohet në pankinë.

Edison Kola devijoi saktë krosimin e një goditje dënimi, duke kaluar në epërsi kryeqytetasit. Kundërpërgjigja e kurbinasve nuk vonoi. Mosmarrëveshjen mes portierit Selmani dhe mbrojtjes e shfrytëzoi maksimalisht Traore, i cili vendosi ekuilibrat në rezultat, shifra që nuk ndryshuar deri në pushimin mes pjesëve.

Edhe fraksioni i dytë nisi praktikisht me gol për Tiranën. Walid fitoi garën e shpejtësisë me mbrojtësit dhe i vetëm përballë Molla shënoi për 2-1. Gol që “shthuri” kurbinasit që pësuan sërish. Këtë herë ishte Ernest ai që përfitoi nga hapësirat në prapavijë dhe me të majtën tundi rrjetën.

Llogaritë i mbylli Ndreca me golin e katërt për Tiranën që hedh kështu një hap të madh drejt qëndrimit në elitën e futbollit shqiptar. Me këtë 3 pikësh, bardheblutë kanë 29 pikë dhe në vendin e 8-të në pozicionin play-out.

Elbasani shpërdoron një penallti dhe nuk shkon më shumë se një barazim pa gola kundër Skënderbeut. Ekipi i Gvozdenovic shpërdoroi një mundësi të artë për t’iu afruar Partizanit dhe zonës final-four, që pas këtij gabimi të Mustës nga pika e bardhë qëndron në 5 pikë nga vendi i katërt.

Fitore me tepër vlera arriti Bylisi, 1-0 ndaj Teutës për t’u larguar me 2 pikë nga Tirana ndjekëse dhe zhytur durrsakët në vendin e 9-të, pozicion që momentalisht e dërgon në Kategorinë e Parë.

Klan News