Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci është marrë nën hetim nga SPAK. Diçka e tillë i është komunikuar nga prokuroria avokatit të Becit të hënën, ndërsa mësohet se ai është marrë nën hetim për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Vetë Beci u shfaq para mediave në krye të detyrës duke inspektuar punën për pastrimin e kolektorëve ndërsa pati edhe një reagim.

“Ne vazhdojmë punën. Sigurisht jam paraqitur dhe kam dhënë shpjegime, normalisht. Kush do të merret me llafe, le të merret me llafe. Mendojmë që kryesorja është që ne të vazhdojmë investimet, punët. Dhe Shkodra nuk ka të ndaluar në këtë zhvillim që ka marrë”.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës u thirr pak ditë më parë në SPAK ku dha shpjegime. Ai u paraqit në Prokurorinë e Posaçme pas kallëzimit të bërë nga ish-kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia për punën e Becit në një kohë kur nuk ishte kryetar bashkie, por mbante një detyrë tjetër.

Klan News