Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci pranon se është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar. Gjatë një inspektimi për hapjen e kolektorit në zonën e Perashit në Shkodër, ai tha se para hetuesve të SPAK kishte dhënë shpjegime për një çështje në hetim, por pa bërë të ditur se për çfarë konkretisht.
“Ne vazhdojmë punën, sigurisht jam paraqitur për të dhënë shpjegime normalisht. Kush do të merret me llafe të merret me llafe, mendoj se kryesorja është që ne të vazhdojmë investimet, punët, Shkodra nuk ka të ndalur në rrugën që ka marrë.”
Ndonëse vetë Beci nuk dha më shumë shpjegime rreth çështjeve për të cilat është pyetur, burime nga SPAK bëjnë të ditur se bëhet fjalë për çështje që lidhen me detyrat e tija shtetërore që ka mbajtur para se të zgjidhet kryetar bashkie.
Më parë Benet Beci ka mbajtur detyrën e drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe atë të Korporatës Elektroenergjetike shqiptare.
Tv Klan