Në një Konferencë të Komisioneve Parlamentare për Integrim te vendeve të Evropës Juglindore e zhvilluar në Tiranë, përfaqësuesit e opozitës shprehën kritika për mënyrën si po e adreson këtë proces qeveria.
“Opozita, PD beson se kjo është e ardhmja e Shqipërisë, por situata është e tillë që në pjesën më të madhe të diskutimeve nuk po ofrohet transparencë dhe gjithë përfshirje”, tha Jorida Tabaku.
Përgjigjen ia ktheu ministri i Jashtëm Igli Hasani.
“Këtu nuk jam për fushatë, jam për procese transparente, të afta për të përfshirë të gjithë shoqërinë”, u shpreh ai.
Ndërsa kryeparlamentarja Elisa Spiropali tha se Shqipëria nuk ka plan B në këtë proces.
“Shqipëria nuk ka asnjë plan B, por vetëm një plan A, anëtarësimin në Europë”, deklaroi kryetarja e Kuvendit.
Mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor dhanë edhe ambasadori i Gjermanisë dhe Bashkimi Europian.
“Zgjerimi është qëllimi strategjik i yni edhe në kuadër të asaj që po ndodh në Ukrainë. Ne po mbështesim zhvillimin socio-ekonomik, duke ju mbështetur juve në reforma.”
“Gjermania mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ndaj ne jemi këtu për t’ju mbështetur më tej në këtë rrugë dhe proces integrimi.”
Në tryezë u theksua nevoja për më shumë bashkëpunim mes vendeve të rajonit në procesin e integrimit.
Tv Klan