Grupet parlamentare pavarësisht seancës të zhvilluar ditën e hënë nuk e kanë gjetur ende dakordësinë për shpërndarjen e Kuvendit në Kosovë. Megjithatë e gjithë opozita në Kosovë ka kërkuar vazhdimit që të shkohet drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme. Për shpërndarjen e Kuvendit, nevojitet mbledhja e 40 nënshkrimeve për mocion, i cili pastaj duhet të votohet nga 80 ligjvënës. Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, por që prej asaj kohe asnjë qeveri e zgjedhur për të ndenjur në pushtet nuk ka arritur ta çojë deri në fund mandatin e saj 4-vjeçar.

Në një intervistë për gazetarin Besard Jacaj në Klan News, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se shteti i Kosovës ka nevojë urgjente për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Bisedimet për të arritur këtë me opozitën sipas tij janë duke vazhduar, por ende nuk është arritur një dakordësi përfundimtare.

“Partia Demokratike e Kosovës mori pjesë edhe në seancën e të hënës dhe ata po justifikojnë nevojën me çdo kusht për të shkuar në zgjedhje, nuk po u intereson motivi, forma dhe formati i shkaktimit të zgjedhjeve, për ata më me rëndësi është që të shkojnë në zgjedhje si duket, ose kanë një dakordësi parimore për këtë proces. Ndërsa LDK-ja në këtë pozicion edhe aleanca e zotit Haradinaj janë në qëndrimet e tyre edhe më tutje. Nuk kemi iniciativë këtë javë nga Partia Demokratike e Kosovës, një mocion për shpërbërjen e Kuvendit,” shprehet Haziri.

Teksa tensionet për shpërndarjen e Kuvendit janë pothuajse në kulmin e tyre duket se ka një lloj ‘flirti’ mes kreu të PDK-së Memli Krasniqi dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Takimi i javës që kaloi me i Krasniqit me Kurtit nga e cila u mësua se kishin diskutuar për zgjedhjet e reja në Kosovë tërhoqi vëmendjen e opinionit publik.

Lutfi Haziri mendon se takimi i dy liderëve është një lloj komunikimi, pavarësisht përplasjeve të vazhdueshme që kanë pasur në Kuvend. Për sa i përket LDK-së, ai shprehet se bashkëpunimet dhe koalicionet e mëparshme i përkasin të shkuarës, tani fatkeqësisht nuk ka më asnjë lloj bashkëpunimi mes LDK-së dhe Vetëvendosjes.

“Parimisht duhet të nënvizojmë që është një kapitull i ri bashkëpunimi mes PDK-së dhe Vetëvendosjes, sepse format të tillë të bashkëpunimit nuk ka patur, le të themi që ka patur një lloj bashkëpunimi në institucionet parlamentare dhe përmes grupeve parlamentare, por politikisht ato dy parti janë grushtuar në sallë të Kuvendit, grupi i deputetëve me zv.kryeministrin Bislimi, i cili ka dalë në mbrojtje të zotit Kurti, në atë kohë. Dhe ka patur përplasje jashtëzakonisht të mëdha politike, në disa raste deri në afërsi fizike”.

Tani ky kapitull i ri tregon qartë që PDK bëri nominimin për kryeministër jashtë formatit të liderit të partisë, doli për një qëndrim për zgjedhjet në qershor, shihet që ka një lloj komunikimi pavarësisht çfarëdo lloj kanali që kanë përdorur ata dhe tani janë në këtë axhendë duke u pajtuar që një mocion i shpërndarjes së Kuvendit është i pranueshëm edhe për PDK-në edhe për Vetëvendosjen e zotit Kurti, kjo është parimore deri tani.

Ndërsa LDK-ja ka patur një histori bashkëpunimi me Vetëvendosjen në vitet 2014-2015, kemi patur madje bashkëpunim parlamentar për dy vite 2017-2019. Në vitin 2019 kemi patur koalicion, por tani fatkeqësisht nuk kemi asnjë lloj bashkëpunimi apo komunikimi dhe kemi një rivalitet politik i cili çdo ditë e më shumë po ashpërsohet politikisht,” përfundon fjalën e tij Haziri./tvklan.al