PALERMO – Bashkëshortja nuk ka dyshime: “Nuk mund të jetë vetëvrarë”.

Eurodeputetja Francesca Donato e tha të shtunën mes lotësh përpara trupit të pajetë të bashkëshortit të saj, arkitektit Angelo Onorato, i cili u gjet në makinën e tij me një fashetë plastike rreth fytit. Dhe këtë e ripërsëriti edhe të dielën, në një letër të shpërndarë nga avokati Vincenzo Lo Re, i cili flet për “të dhëna objektive dhe subjektive që e përjashtojnë mundësisë e një vetëvrasjeje”. Ai po ashtu shpreh bindjen se në të njëjtin përfundim do të dalë edhe Prokuroria e Palermos.

Një siguri që, siç shkruan Corriere Della Sera, bie në kundërshti me të dhënat e deritanishme që të çojnë në një tjetër drejtim. Hetuesit nuk përjashtojnë asnjë mundësi në këtë pikë, ndërsa mbeten shumë pikëpyetje dhe anë të errëta rreth vdekjes së 56-vjeçarit.

Francesca Donato dhe Angelo Onorato

Të shtunën në mbrëmje, policia mori dëshminë e bashkëshortes dhe vajzës. Kjo e fundit, në një postim në rrjetet sociale vijoi të përsëriste se i ati nuk mund të jetë vetëvrarë. Eurodeputetja, e cila u paraqit bashkë me avokatin e familjes, dorëzoi një letër që i shoqi i kishte lënë përfaqësuesit të tij ligjor.

Në letrën, ku nuk përmenden problemet financiare të sipërmarrësit, ka fjalë të përzemërta drejtuar familjes dhe udhëzime për të kontaktuar avokatin e tij në rast se do t’i ndodhte diçka. Për hetuesit, letra nuk ka të dhëna që zbardhin misterin e vdekjes së tij.

Këtë të hënë, në trupin e viktimës pritet të kryhet autopsia që mund të japë një përgjigje më shumë. Mjeku ligjor, i pari që pa kufomën e 56-vjeçarit, i cili u gjet në sediljen e shoferit me rripin e sigurisë të vënë, mohoi që në trupin e tij të kishte shenja dhune. Ashtu siç duket se nuk ka të dhëna për një përleshje të mundshme mes tij dhe një personi tjetër. E vështirë të mendohet se dikush mund ta ketë surprizuar nga pas, ta ketë mbytur, e arkitekti të mos jetë përpjekur të shpëtojë.

Makina ku u gjet viktima, Angelo Onorato
Makina ku u gjet viktima, Angelo Onorato

Edhe pamjet e kamerave të sigurisë duket se mbështesin hipotezën e vetëvrasjes. Makina, e cila u gjet në rrugën Minutilla, paralele me autostradën, nuk ndodhej në një vend që nuk mbulohej nga kamerat. Por nga kamerat që ndodhen aty pranë, nuk rezulton që drejt fuoristradës së Onorato të ketë ndaluar një automjetet tjetër. Në kamera nuk shfaqet as ndonjë kalimtar i rastit. Ndaj e vetmja mundësi është që vrasësi të ketë kapërcyer murin që ndan autostradën, rreth 2 metra i lartë.

Megjithatë, për momentin mungon arsyeja që mund ta ketë çuar Onoraton drejt vetëvrasjes. Pak orë para se të vdiste kishte lënë takim me miqtë e tij. Nga ana tjetër në dritë ka dalë edhe pista e borxheve. Sipërmarrësi, i cili duhet të shlyente disa kredi, sipas Corriere, kishte punë të ndryshme që vijonin dhe nuk jetonte në vështirësi të veçanta ekonomike.

Angelo Onorato, një arkitekt dhe bashkëshorti i eurodeputetes demokristiane Francesca Donato, u gjet i vdekur këtë të shtunë në Palermo të Italisë. 54-vjeçari u gjet i pajetë brenda makinës së tij të zezë Land Rover, në zonën e Ugo La Malfa.
Angelo Onorato

Dhe ja, rikthehet ideja e vrasjes. Por kush kishte motiv për ta vrarë 56-vjeçarin? Sipas hetuesve, Onorato nuk kishte armiq, as nuk rezulton të ketë qenë i përfshirë në situata të rrezikshme. Edhe pse bashkëshortja dhe vajza, duke parë që nuk po kthehej në shtëpi, u vunë menjëherë në kërkim të tij, duke lokalizuar iPhone-in, shenjë që sipas hetuesve tregon se në familje ekzistonte një lloj frike./tvklan.al