“Në Vlorë pothuajse të gjitha subjektet private kanë tashmë të paktën të punësuar një shtetas të huaj në sektorin e turizmit. Janë pikërisht ato subjekte private, struktura hoteliere, bar dhe restorante, të cilat ashtu si vitin e kaluar edhe këtë vit do ta menaxhojnë fluksin e verës me shtetas të huaj, kryesisht nga Mianmari”, raporton gazetarja e Klan News Greta Haskaj.

Një prej tyre është Mei Htoon. 36-vjeçarja ka ardhur nga Mianmari dhe punon në Vlorë si terapiste prej gati një viti. Ajo na tregon se eksperiencën e ka marrë vite më parë në Dubai.

 “Para se të vija këtu kam qenë në Dubai ku qëndrova 5 vjet. Aty kam bërë punë të ndryshme. E nisa fillimisht si recepsioniste e më pas arrita deri në menaxhim. Pikërisht aty mësova edhe për fushën e fizioterapisë. Pasi punova gjatë aty u mërzita dhe vendosa që të largohesha”, tha Mei Htoon, fizioterapiste në Vlorë.

Ishte partneri i saj ai që i sugjeroi Shqipërinë dhe veçanërisht Vlorën.

“E kisha planifikuar që ndalesën time të radhës ta kisha në Europë. Partneri im më sugjeroi që të vija në Shqipëri. Ai kishte disa kontakte këtu në Vlorë dhe vendosa që të punoja në këtë hotel në qytetin tuaj. Jam fokusuar sërish te fizioterapia. Këtu te ju ndihem një njeri i lirë. Nuk dua që të jetoj në një vend ku ka kufizime”, tha Mei Htoon.

Ajo na tregon edhe për eksperiencën në qytetin bregdetar ndërsa thotë se në Vlorë ndihet shumë mirë.

Kur erdha këtu ishte krejtësisht diçka e re për mua. Nisa një eksperiencë ndryshe në jetën time. Më pëlqen të qëndroj dhe të punoj këtu. Njerëzit janë shumë të dashur dhe të sjellshëm. Ndihem shumë mirë këtu në Vlorë. Tani kam edhe shumë miq”, tha Mei Htoon.

Është e kënaqur edhe me kushtet e punës në hotelin ku punon prej gati një viti.

“Edhe me punën jam e kënaqur. Pronarët sillen shumë mirë. Tani kanë krijuar besim tek unë dhe për këtë më vjen shumë mirë. Nga vendlindja ime këtu në qytet ka edhe persona të tjerë që bëjnë punë të ndryshme. Më duket sikur jemi një komunitet këtu”, tha Mei Htoon.

36-vjeçarja thotë se planifikon të qëndrojë gjatë në vendin tonë, ndërsa për momentin kthimi në vendlindje nuk është një opsion.

“Nuk kam ndërmend që të kthehem në vendlindjen time. Aty është situatë e keqe pasi është gjendje lufte. Do qëndroj këtu. Nuk e di dhe për sa kohë, por planifikoj të jem gjatë në Shqipëri. Dua që të marr pasaportën shqiptare dhe nëse mërzitem një ditë mund të lëviz për në një vend tjetër”, tha Mei Htoon.

Vitet e fundit numri i shtetasve të huaj që punojnë në Vlorë është rritur. Pjesa më e madhe e tyre janë rekrutuar nga sektori i turizmit dhe ndërtimi.

Klan News