Kryeqyteti do të ketë një atraksion të ri kulturor dhe do të jetë godina e ish-Komandës së Gardës së Republikës, e cila do të ruajë dhe konservojë një seri objektesh të rralla që nga periudha osmane. Flamuj, medalje, koleksione të vjetra studimore dhe çdo artefakt që dëshmon historinë e shtetit shqiptar do të ekspozohen në këtë godinë e cila do të jetë në funksion të publikut brenda muajit Mars.


Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet, ndërsa këtë muze të ri e quan muzeun e “Veshjeve të shtetit”.

“Ky mund të quhet Muzeu i “Veshjeve të shtetit”, domethënë nëse shteti imagjinohet si person, muzeu i të gjithë garderobës së shtetit, i të gjithë xhevahireve, i të gjithë “nishaneve”, i të gjithë “kopsave” të shtetit, që do të jetë një atraksion i jashtëzakonshëm.”

Jo vetëm për vizitorët apo turistët, por një vlerë e shtuar ky muze do të jetë për nxënësit dhe studentët.

“Do të jetë një muze, i cili besoj unë do të ketë edhe një vlerë të madhe edhe për fëmijët dhe nxënësit, për studentët, për të mësuar se nga vjen shteti shqiptar dhe për të parë se si ka qenë “i veshur” në stinë të ndryshme shteti shqiptar.”

Gjatë inspektimi, shefi i qeverisë nuk ngurroi të jepte ide rreth hapësirave.

Përmes këtij institucioni të ri synohet promovimi i vlerave dhe traditës shqiptare, përmes aktivieteve kulturore dhe edukative.

Tv Klan