Një operacion i përbashkët është zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit ku janë goditur disa grupe kriminale që merreshin me drogë.
Në total janë lëshuar mbi 10 masa sigurie të firmosura nga GJKKO, pas kërkesës së SPAK. Operacioni është shtrirë në disa qytete të vendit, Tiranë, Kukës, Fier, Vlorë, Gjirokastër dhe Sarandë.
Sipas burimeve për gazetarin e Klan News Besar Bajraktaraj, 4 masa sigurie janë për oficerë policie. Konkretisht, janë arrestuar 3 efektivë policie, ndërsa njëri është shpallur në kërkim.
Në pranga ka rënë Shkëlzen Ruska, me detyrë shef krimesh në Himarë. Ruska akuzohet për kultivim kanabisi, grup i strukturuar kriminal, shpërdorim detyre dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale.
Për të njëjtat akuza, në pranga ka rënë edhe shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjes, Ervis Alisinanaj. Këtij të fundit i rëndon edhe akuza e ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
I shpallur në kërkim është shefi i Komisariatit i Policisë Kufitare në Sarandë, Elvis Dërvishi i akuzuar për “trafikimi i narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim detyre”.
Erdit Hazizaj është personi tjetër i arrestuar nga AMP. Hazizaj është larguar nga Policia në vitin 2022. Ai akuzohet nga SPAK për trafik droge, kultivim i bimëve narkotike, grup i strukturuar, shpërdorim detyre etj.
Sipas burimeve, hetimet e SPAK kanë nisur prej disa kohësh për efektivët e arrestuar, pasi në aplikacionet Sky Ecc rezultoi se këta të fundit ishin të përfshirë me banda kriminale në fushën e narkotikëve dhe jo vetëm./tvklan.al