Në këtë fermë në fshatin Sofratikë të Gjirokastrës prej 5 vitesh mbarështohen gomarica. Iniciativën e mori Veiz Basha ndërsa sot për to kujdeset bashkë me familjen e tij. Ai na tregon se idenë e ka marrë nga interneti.
“E kam parë në Maqedoni. Fliste një grua se kishte një djalë të sëmurë dhe ia kishte rekomanduar një mjek popullor qumështin e gomaricës sepse vuante nga mëlçia. E kuroi atë dhe pa rezultat të madh dhe ajo bëri një fermë gomaricash. Aty e kam parë në internet, në telefon. Aty mu dha ideja, ra dhe Covid-i, e bëra dhe pamë rezultat”, tha Veiz Basha.
Fillimisht bleu 2 gomarica e më pas vendosi që ta shtonte numrin e tyre. Sot në këtë fermë ka 30 krerë.
“Mora 2 fillimisht t’i provoja. I provova në familje i pash që kishte rezultat, kërkuan edhe komshinjtë pasi e mësuan se unë kisha vënë gomarica. Dhe duke pasur kërkesë për qumësht, unë i shtova dhe i kam bërë 30 krerë sot”, tha Veiz Basha.
Numrin e tyre vendosi që ta shtonte kur pa se u rrit edhe kërkesa për qumështin e gomaricës. Një litër qumësht kushton 6 mijë lekë ndërsa shprehet se kërkesat janë nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe nga rajoni.
“Nga Tirana, nga Shkodra na kanë marrë. Dhe në Kosovë kemi shitur vitet e para, por tani u bë i njohur se më përpara nuk njihej. Nuk e kemi problem të marrë shitjen”, tha Veiz Basha.
Qumështi i gomaricës sugjerohet që të konsumohet i ngrohtë. Bashkëshortja e Veizit, Fatikoja, na tregon edhe për procesin që mund të ndiqet.
“Mund ta ziesh me një banjo mari, në një enë që ke vënë ujin, në biberonin e fëmijës ose në shishen që ke, duron deri në 70 gradë Celsius dhe e lë të ftohet. Ose në çdo masë që pi fëmija, 30 ml, jo të gjithë. E ndan në masa të vogla në frigorifer dhe në çdo masa që do t’i japësh fëmijës mund ta bësh këtë proces”, tha Fatikoja, bashkëshortja e Veiz Bashës.
Mbarështimi i gomaricave nuk është i lehtë ndërsa Veizi thotë se ato duan vazhdimisht kujdes.
“Nuk ka shumë, janë specie në zhdukje. Duan kujdes shumë të veçantë, janë delikate, duan që të kujdesesh shumë për to. Dhe ka shumë vështirësi për t’i mjelë”, tha Veiz Basha.
Në këtë fermë nuk rriten vetëm gomarica, por edhe kafshë të tjera.
Klan News