Miratimi i Projektligjit të gjykatës administrative vazhdon të qëndrojë pezull për shkak të mungesës së kartonave në Parlament.
Gjatë seancës së fundit plenare opozita ka braktisur sërish votimin për këtë ligj duke sjellë edhe reagimin e përfaqësuesve të biznesit.
Për Ilir Zillën, kreun e Unionit të Dhomave të Tregtisë, gjykata administrative, është kutia që opozita duhet të hapë sa më parë.
Ilir Zhilla: “Për biznesin problemi në fjalë, miratimi i gjykatës administrative është kutia e biznesit që ne mendojmë që nuk ka asnjë arsye për të mos u hapur, për tu mos u miratuar. Se ky ligj siç dihet është bërë në bashkëpunim kompleks pozitë-opozitë. Për disa orë neve dje jetuam me një shpresë të madhe se ky ligj mund të kalonte dhe mund të fillonte implementimi i tij. Në dispozicion të së cilit janë dhe 2 milion dollar nga projekti i sfida e mijëvjeçarit.”
Edhe ekspertë të ekonomisë mendojnë se opozita nëpërmjet kësaj zgjidhjeje politike po vijon të penalizojë jo vetëm biznesin, por edhe qytetarët për mosmarrëveshjet që kanë me administratën.
Artan Hoxha: “Është si me atë shprehjen po me urën ç’patën. Ligji për gjykatat administrative është një nga ndërhyrjet më inteligjente dhe më efektive në sistemin tonë gjyqësor. Miratimi i atij ligji duhej të tejkalonte çdo interes politik të momentit, asgjë nuk do ti kushtonte PS-s të jepte konsensus për këtë ligj , ekspertët e së cilës në llogari të fundit kanë qenë pjesë e përgatitjes së tij. Vonesa tashmë më shumë se 1 vit e gjysëm i mos miratimit të këtij ligji nuk bën gjë tjetër veçse shtyn përfitime për të gjithë publikun, për administratën publike, për çdo individ.”
Prej mëse një viti gati 30 shoqata biznesi po lobojnë për miratimin e ligjit të Gjykatës Administrative, duke ia kërkuar këtë opozitës, që e refuzoi edhe në legjislaturën e shkuar./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro