Misteri i velierës në Karpen të Kavajës është një nga tematikat që është trajtuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” në Tv Klan. I ftuar në emision, gazetari Merin Maçi ka dhënë më shumë detaje lidhur me ngjarjen.
Maçi ka thënë se veliera dyshohet të jetë nisur prej datës 9 Gusht nga Bari dhe më pas ka vijuar me lëvizje të rregullt në brigjet e Kroacisë. Ajo që është vënë re nga GPS janë lëvizjet e çrregullta të mjetit lundrues që u konstatuan në plazhin e Karpenit. Deri më tani përjashtohet pista e një ngjarje kriminale apo e trafikimit të lëndëve narkotike.
Merin Maçi: Veliera është konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare mëngjesin e 10 Shtatorit, por për shkak të motit të keq dhe me dallgë të detit në atë ditë është bërë ndërhyrja edhe me asistencën e Guardia di Finanzia dhe palës italiane vetëm mëngjesin e djeshëm ku në brendësi të saj janë gjetur dokumentet e mjetit, një leje drejtimi, e cila i përket 85-vjeçarit, Frank Rudiger me vendlindje në Lajpzig, një armë zjarri, municioni luftarak, një laptop dhe 2 aparatë celularë.
Blendi Fevziu: Sa kohë ka lunduar, është llogaritur?
Merin Maçi: Dyshohet të jetë nisur prej datës 9 Gusht nga pika ku tregon GPS, ka lëvizje të rregullt në drejtim të brigjeve të Kroacisë dhe ka një lëvizje të çrregullt ku më pas merr drejtimin për në plazhin e Karpenit në Spille. Dyshohet që kjo lëvizje sipas policisë të jetë shkaktuar nga moti i keq. Kjo dyshohet të ketë shkaktuar probleme dhe për vetë 85-vjeçarin, i cili sipas policisë mund të ketë dalë në ambientet e jashtme të velierës dhe në përpjekje për të rregulluar diçka, mund të ketë rënë në det. Nuk ka asnjë gjurmë të personit. Është kontaktuar me djalin e 85-vjeçarit. Nga komunikimet që ka pasur, kontakti i fundit ka qenë 1 ditë para se policia ta konstatonte atë në plazhin e Karpenit në Spille. Deri më tani përjashtohet pista e një ngjarje kriminale apo një tentativë të trafikimit të lëndëve narkotike.
/tvklan.al