1880 Ha nën ujë, lumenjtë në kuota maksimale
Juglindja e vendit është përfshirë nga reshje të dendura të dëborës mbrëmjen e së enjtes. Më intensive ato kanë qenë në Qarkun e Korçës. Për këtë shkak ka pasur probleme qarkullimi në Qafë Thane, ku ka trafik të renduar mjetesh si dhe në Qafë Plloçë.
4 mjete borëpastruese po punojnë për të mbajtur të hapur aksin nacional. Edhe në Qarkun e Dibrës ka pasur reshje dëbore në lartësinë mbi 500 metra.
Rrugët nacionale Peshkopi-Tiranë dhe Peshkopi-Kukës janë të kalueshme pa probleme. Ndërsa zona e Nënshkodrës vijon të vuajë situatën e përmbytjeve.
Autoritetet numërojnë 1880 hektarë ende nën ujë. 24 orët e fundit kanë shënuar një përmirësim të lehtë dhe uji ka nisur të tërhiqet nga tokat bujqësore.
Më problematike mbetet situata në njësinë Ana e Malit ku rruga për në fshatin Obot është ende e kalueshme me mjete të larta.
Niveli i lumenjve është ende në kuota maksimale për shkak të prurjeve.
Problem vijon të mbetet furnizimi i banorëve me ushqim për kafshët.
Tv Klan