Pesë ditë përpara zgjedhjeve presidenciale, Maqedonia e Veriut përfshihet në tjetër betejë elektorale atë të zgjedhjeve parlamentare të 8 Majit.
Partitë politike dhe koalicionet pjesëmarrëse nënshkruan marrëveshjen për angazhim për zgjedhje të lira e demokratike.
Veç 17 partive si subjekt më vete ka edhe shumë koalicione. Koalicioni “Maqedonia Jote” që udhëhiqet nga VMRO-DMNE-ja numëron 21 parti.
LSDM-ja është në krye të “Koalicionit për të ardhme Evropiane” bashkë më 14 parti.
Në bllokun shqiptar BDI-ja e Ali Ahmetit udhëheq koalicionin “Fronti Evropian” ku bëjnë pjesë Aleanca e Shqiptarëve të Ziadin Selës, PDSH-ja, Lëvizja “Populli”, Partia Demokratike Evropiane si dhe parti të komuniteteve turke, rome dhe boshnjake.
Ndërkaq koalicioni VLEN i opozitës shqiptare përbëhet nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa, ASH-ja e Taravarit si dhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoninë e Veriut.
Votimet e 8 Majit përkojnë me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Që nga shpallja e pavarësisë, këto janë zgjedhje e teta parlamentare në këtë shtet.
Monitorimin e zgjedhjeve do ta bëjë Zyra për Institucione dhe të Drejta të Njeriut – OSBE/ODIHR ku do të ketë 300 monitorues afatshkurtër dhe 20 afatgjatë.
Tv Klan