Ish-presidenti akuzohet për nxitje të sulmit ndaj Kongresit
Ka nisur në Senatin Amerikan, gjyqi ndaj ish-presidentit Donald Tramp. Demokratët e Dhomës së Ulët, në rolin e prokurorëve e akuzojnë për nxitje të dhunës më 6 Janar në protestat që shoqëruan certifikimin e fitores së Joe Biden. Trump nuk e njohu rezultatin e zgjedhjeve të 3 Nëntorit 2020, duke pretenduar se zgjedhjet u manipuluan në favor të rivalit demokrat. Megjithatë, avokatët e tij nuk paraqitën fakte bindëse për manipulimin, çka bën që gjykatat të refuzonin nisjen e proceseve penale.
Trump i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka refuzuar thirrjen për të dëshmuar para Senatit. Por demokratët thonë se do të paraqesin fakte bindëse që e inkriminojnë ish-presidentin. Kohëzgjatja e procesit pritet të vendoset gjatë diskutimeve pas nisjes së gjyqit. Procesi i mëhershëm i nisur në Dhjetor 2019, zgjati tre javë.
Nëse shpallet fajtor Donald Trump-it i hiqet e drejta të kandidojë për një mandat të dytë presidencial, ose të zgjidhet në poste publike si dhe i hiqen privilegjet si ish-president.
Avokatët thonë se gjyqi në Senat për një president që i ka mbaruar mandati është i jashtëligjshëm dhe do ta ankimojnë atë në Gjykatën Supreme. Për shpalljen fajtor të Trump-it, demokratëve u nevojitet mbështetja e 17 republikanëve, një shifër që edhe mund të arrihet pasi deri më tani 10 prej tyre kanë mbështetur procesin. Po ashtu, Trump është presidenti i parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që u përball me dy procese gjyqësore.
Tv Klan