Ka nisur procesi i regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare në Kosovë. Ndonëse u paralajmërua se këtë vit regjistrimi i popullsisë do të përfshijë edhe katër komunat veriore me shumicë serbe, Lista Serbe u ka kërkuar qytetarëve serbë që të bojkotojnë atë.
Analisti dhe gazetari serb, Branislav Krstiç, e sheh të dështuar procesin e Censit në këtë pjesë të Kosovës. Thotë se edhe vetë do ta bojkotojë, ndonëse Lista Serbe sipas tij po punon për interesa të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, e jo për serbët e Kosovës.
“Nuk ekziston as ambienti dhe mua më duket që serbët do të kalojnë këtë procesin e regjistrimit të popullatës në atë mënyrë që ka kaluar edhe vizita e kryeministrit Kurti në veriun e vendit.”
Kreu i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri ka thënë se procesi regjistrimit të popullsisë në këtë komunë do të nisë të hënën. Ai ka thënë se shumica e regjistruesve serbë janë dorëhequr dhe kanë mbetur vetëm 2.
Në komunën e Mitrovicës së Veriut procesi i regjistrimit ka nisur qysh në mëngjes sipas kreut të Komunës Erden Atiç. Procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave pritet të përfundojë më 17 Maj.
Tv Klan