Në nisje të sesionit të ri parlamentar, kryetarja e sapozgjedhur Elisa Spiropali ftoi opozitën për bashkëpunim në kryerjen e reformave aq të domosdosshme për vendin në rrugën drejt integrimit europian. Sipas saj, opozita duhet të ulet në komisionet hetimore për të gjetur bashkarisht gabimet dhe përgjegjësit në institucionet e shtetit.
“Mbështetja dhe fuqizimi i institucioneve të pavarura dhe i pavarësisë së degëve të qeverisjes, që ato të rrisin përgjegjshmërinë dhe transparencën para vendit dhe qytetarëve. Pozitive të bashkëpunojmë për komisionet hetimore, sepse bashkarisht duhet të zbulojmë gabimet e punës së institucioneve dhe të nxjerrim përgjegjësitë.”
Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se kryeministri Rama dhe mazhoranca e tij, po mbrojnë interesat e tyre përmes parlamentit.
“Tradita e kërkon që në çdo nisje të urohet punë e mbarë. Nuk është rasti. Qeveria e Ramës e ka shndërruar këtë sallë në sallë për kryerjen e punëve personale. Pushteti i tij është personal absolut. Jemi në letër republikë parlamentare. Sundon vullneti i një njeriu. Këto 12 vite ka dëshmuar që për pushtetin e tij i vë flakën Shqipërisë. Ka djegur ekonominë e tregut, ka shkrumbuar vendet e punës, ka shkretuar vendin nga rina, janë larguar 1 milionë shqiptarë.”
Bardhi listoi prioritetet e Partisë Demokratike, siç janë reforma zgjedhore, rritjen e pensionit minimal në 300 euro, ligjin për caktimin e minimumit jetik dhe mbështetjen ndaj bujqësisë.
Kreu i grupit socialist Niko Peleshi vuri theksin tek integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Mos të përhumbemi në debate të kota. Kemi treguar vullnet për bashkëpunim. Shteti nuk është i partive, por i shqiptarëve. Jemi sot më shumë se kurrë pranë anëtarësimit në BE. Institucionet ligjzbatuese kanë bërë një punë të madhe drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Integrimi në BE ka qenë një mision historik dhe duhet të bashkëpunojmë për të mirën e përbashkët.”
Gjatë paradites midis palëve politike pati dakordësi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për kalendarin dy javor. U pranua kërkesa e opozitës për interpelancë më kryeministrin Rama për çështjen e mbetjeve që u caktua të mbahet më 12 shtator. Gjithashtu është parashikuar votimi për dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Mocioni për mandatin e deputetit Vullnet Sinaj do të shqyrtohet nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin më datën 4 shtator.
Klan News