70% e delegatëve të Partisë Demokratike kanë firmosur për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Kështu u shpreh këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ish-Presidenti Bujar Nishani, i cili tha se po ashtu është plotësuar kuorumi mbi 50% e delegatëve në degë që kërkojnë mbledhjen e Kuvendit. Kujtojmë që Sali Berisha ka njoftuar se Kuvendi Kombëtar i PD-së do të mblidhet më 11 Dhjetor.
Blendi Fevziu: Zoti Nishani, pak kohë më parë, rreth 1 muaj më parë ju deklaruat që kishin informacione që, mbledhja e firmave e kishte kaluar numrin prej 1500 që duhen për thirrjen e Kuvendit. Keni informacion se sa përqind e firmave janë mbledhur tani?
Bujar Nishani: Në dijeninë time është 70% në rang kombëtar!
Blendi Fevziu: 70% të delegatëve të Kuvendit?
Bujar Nishani: Ajo varion, minimumi nga 55-56% në disa degë të caktuara deri në 98% në disa degë të tjera.
Blendi Fevziu: Nëse e marr të mirëqenë deklaratën tuaj, sepse kur të vijë informacioni, praktikisht plotësimin e pikës së nenit të statutit ku kërkohet mbledhja e Kuvendit plotësohet, e plotëson edhe kuorumin mbi 50%.
Nishani u shpreh se mbetet për t’u parë se çfarë propozimesh statutore do të jepen në Kuvend. Ai u shpreh se përplasja në raportet Berisha-Basha nuk është thelbi i problemit, por situata brenda në PD dhe paaftësia e kësaj force politike për t’u konsideruar opozitë reale.
“Ata të cilët e shohin të gjithë këtë problematikë të madhe thjesht në raportet mes zotit Berisha dhe zotit Basha, kjo nuk është thelbi, por parja në mënyrë sipërfaqësore, madje është ikje nga thelbi i së vërtetës që është shqetësimi për situatën politike ku ndodhet sot PD. Është e papranueshme që PD, e cila presupozohet, e që duhet të ishte alternativë qeverisëse është sot e pafuqishme për t’u konsideruar një opozitë reale në vend. Situata në PD është thelbi i shqetësimit dhe thelbi i kësaj ndërmarrje politike”, tha Nishani./tvklan.al