Një tjetër vijë e kuqe e Kremlinit e kaluar. Paralajmërimet e presidentit rus Vladimir Putin nuk dhanë efekt dhe Ukraina sulmoi territorin e Rusisë me raketat amerikane ATACMS në ditën e njëmijtë të luftës.
U godit një depo municioni në rajonin Bryansk të Rusisë. Rusia konfirmoi sulmin dhe tha se rrëzoi pesë nga gjashtë raketat, por ShBA-ja që gjurmon përdorimin e raketave dhe se Rusia interceptoi vetëm dy. Objekti i sulmuar ndodhet rreth 110 km brenda Rusisë.
Sulmi ndodhi teksa Ukraina shënoi 1000 ditë lufte, ku një e pesta e territorit ukrainas ndodhet në duart e Moskës, ndërsa është në pikëpyetje vazhdimi i mbështetjes perëndimore kur Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Leja për të përdorur ATACMS i jep Ukrainës aftësi të reja raketore balistike brenda Rusisë, ndonëse rrezja e saj është vetëm 300 km, shumë më e shkurtër se ajo e raketave që përdor Rusia, duke përfshirë raketat hipersonike Kinzhal me rreze të pretenduar deri në 2000 km.
Moska ka thënë se armë të tilla nuk mund të përdoren pa mbështetje të drejtpërdrejtë operacionale nga Shtetet e Bashkuara dhe për këtë arsye përdorimi i tyre e bën Uashingtonin pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në luftë.
Në sfondin e kërcënimeve bërthamore dhe propagandës për konsum të brendshëm, presidenti Vladimir Putin nënshkroi ndryshimin e doktrinës bërthamore. Doktrina ul pragun e përdorimit të armëve bërthamore dhe përfshin reagimin ndaj sulmeve që kërcënojnë integritetin territorial.
Uashingtoni tha se përditësimi i doktrinës bërthamore ruse nuk është ndonjë befasi dhe tha se bëhet fjalë “për të njëjtën retorikë të papërgjegjshme”.
Ndërsa presidenti Volodymir Zelenskiy tha se ndryshimi i doktrinës bërthamore nga Putini tregon se ai nuk ka interes për paqen:
“Veçanërisht në këtë ditë ata paraqitën strategjinë e armëve bërthamore. Pse? Pse nuk paraqitën strategjinë e paqes. Putini dëshiron luftë”.
Palët ndërluftuese kanë përshkallëzuar situatën në përpjekje për të siguruar një pozicion më të fortë në çdo negociatë të ardhshme.
Zelenskiy thotë se Kievi do të bëjë gjithçka që lufta të përfundojë diplomatikisht vitin e ardhshëm.
“Në këtë fazë të luftës, po vendoset se kush do të mbizotërojë. Nëse ne mbi armikun, apo armiku mbi ne ukrainasit dhe europianët. Dhe të gjithë në botë që duan të jetojnë të lirë dhe të mos i nënshtrohen një diktatori.”
Dhjetëra civilë dhe ushtarë u mblodhën për një çast heshtjeje me qirinj ndezur në mbrëmje në Kiev. Disa qanin.
Yuliia, nga qyteti i Mariupolit, i cili u pushtua nga Rusia në vitin 2022.
“Jeta ime është kthyer përmbys. Dua vetëm fitore dhe të kthehem në shtëpi. U jam mirënjohëse të gjithë burrave që mbrojnë vendin tonë.”
Mijëra qytetarë ukrainas janë vrarë, mbi gjashtë milionë jetojnë si refugjatë jashtë vendit.
Klan News