Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka përshkruar bisedimet me të dërguarin e Trump, Keith Kellogg si “rikthim të shpresës”.
“Ne kemi nevojë për marrëveshje të forta me Amerikën, marrëveshje që vërtet do të funksionojnë. Interesat ekonomike dhe interesat e sigurisë duhet të shkojnë gjithmonë krah për krah. Dhe detajet e marrëveshjes janë të rëndësishme. Sa më mirë të hartohen detajet, aq më i mirë është rezultati,” shton Zelensky.
Më tej, Zelensky thotë se ai diskutoi me Kellogg për vijën e frontit dhe nevojën për të liruar të gjithë të burgosurit e tyre të luftës të mbajtur në Rusi. Presidenti ukrainas shprehet se ka nevojë për një sistem të besueshëm dhe të përcaktuar mirë garancish sigurie në mënyrë që lufta të mos kthehet në vend.
“Ne të gjithë kemi nevojë për paqe, Ukrainë, Evropë, Amerikë, të gjithë në botë. Paqja është gjithmonë një kauzë e përbashkët, veçanërisht paqen që duhet t’ua lëmë të gjithë brezave të ardhshëm”, u shpreh Presidenti i Ukrainës.
Zelensky gjithashtu komunikoi me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron gjatë mbrëmjes së të enjtes ku diskutuan hapat e ardhshëm dhe pikëpamjet e tyre mbi garancitë e sigurisë. Ai tregoi se ka folur po ashtu me liderët e Danimarkës, Norvegjisë, Kanadasë, Afrikës së Jugut dhe Finlandës./tvklan.al