Vajza e presidentit të Kamerunit ka shkaktuar reagime të ndryshme në vend. Shkak u bë një puthje e saj me një vajzë tjetër. Reagimet janë shkaktuar pasi lidhjet e të njëjtit seks janë të paligjshme në Kamerun.
26-vjeçarja Brenda Biya e tregoi këtë gjë në një postim në rrjetet sociale.
“Jam e çmendur rreth teje dhe dua që e gjithë bota ta dijë”, shkroi ajo duke shtuar një emoji të një zemre.
Babai i saj, Paul Biya, 91 vjeç, u bë president i Kamerunit në vitin 1982 dhe është një nga udhëheqësit më të gjatë në Afrikë.
Ata që janë në lidhje me të njëjtin seks në vendin afrikan përballen deri në pesë vite burg. Vajza e presidentit ka shpërndarë më pas edhe mesazhe nga njerëzit që shprehin mbështetjen për të.
Megjithatë të shumtë kanë qenë ata që kanë shkruar komente homofobike kundër saj. Disa kanë spekuluar se Biya, e cila është edhe muzikante, e ka bërë me qëllim foton që të krijojë reagim pasi njihet për këtë gjë.
Biya ndodhet jashtë vendit, por nëse udhëton në Kamerun mund edhe të arrestohet. Qeveria e Kamerunit dhe babai i saj, Presidenti Biya nuk e kanë komentuar këtë ngjarje./tvklan.al