Tension i lartë në rrugë pas daljes së agjentëve federalë

Një person humbi jetën gjatë protestave kundër racizmit në Austin të Teksasit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Policia lokale sqaroi se ai u qëllua nga një automobilist pasi iu afrua i armatosur makinës së tij. Personi, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur humbi jetën në spital.

Tensioni mbetet i lartë në disa qytete amerikane si Portland dhe Oregon, ku Donald Trump ka dërguar agjentë federalë për të rivendosur rendin. Demonstruesit që kanë zbritur në shesh prej javësh të tëra nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre.

Demokratët kanë sulmuar administratën e Trump duke i konsideruar taktikat e përdorura si autoritare dhe një kërcënim të madh për demokracinë.

Prania e agjentëve federalë në terren përkeqësoi tensionet pasi protestuesit dolën në rrugë duke kërkuar largimin e tyre.

Protestuesit në Portland, një nga qytetet e konsideruara me nivel të lartë të racizmit protestuesit kërkuan që policia të ishte më pak e dhunshme dhe barazi mes qytetarëve. Një gjykatë rajonale në Oregon rrëzoi një ditë më parë kërkesën për të ndaluar daljen në terren të agjentëve federalë.

Protesta pati edhe në Seattle ku të paktën 16 persona u arrestuan dhe 3 oficerë policie u plagosën. Demonstratat kundër racizmit dhe përdorimit të tepërt të forcës nga policia filluan javë më parë pas vdekjes së George Floyd.

Tv Klan