Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në ceremoninë e organizuar me rastin e 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës, Kryeqytet i Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri është shprehur se kontrata e Veliajt me qytetarët e Tiranës është ndërprerë nga dikush që ai nuk e njeh as si fytyrë.

Rama ka shtuar se deri më sot kanë zgjedhur të mos komentojnë në lidhje me çështjet e drejtësisë, teksa shton se ajo që ka ndodhur dje me arrestimin e Veliajt ka kaluar çdo limit.

Edi Rama: Sot jemi këtu për të kremtuar një përvjetor, 105-vjetorin e kryeqytetit dhe në të njëjtën kohë jemi në një paradoks sepse mungon kryetari i bashkisë, i zgjedhur nga çerek milionë zgjedhës për të drejtuar kryeqytetin dhe për të realizuar një kontratë të tijën dhe të forcës tonë politike me qytetarët e Tiranës. Kontrata është ndërprerë nga dikush që unë sinqerisht dhe personalisht nuk e njoh as si fytyrë. Kush zgjedh që njeriun e zgjedhur ta marrë pa gjyq dhe ta mbyllë në një dhomë paraburgimi, nuk është e qartë për mua se llogari përpara kujt jep, por me siguri jo përpara qytetarëve që kanë zgjedhur kryetarin e bashkisë.

Unë nuk e di nëse Erioni është i pafajshëm apo fajtor, por unë di që prezumimi i pafajësisë për një njeri të zgjedhur është jo thjesht një detyrim ndaj tij nga ana e kujtdo që ka detyrën të trajtojë çështje që lidhen me drejtësinë, por edhe ndaj atyre që e kanë zgjedhur që të bëhen të dyja, edhe puna për kontratën me zgjedhësin, edhe puna e drejtësisë për të nxjerrë deri në fund në një proces të rregullt me standarde demokratike të vërtetën dhe për të përcaktuar fajin apo pafajësinë e tij apo të kujtdo tjetër.

Deri më sot kemi zgjedhur të mos komentojmë edhe kur kryetari i Bashkisë së Tropojës është marrë nga zyra dhe është mbyllur në shtëpi dhe i është ndalur të zbatojë kontratën me zgjedhësit sepse mbi të rëndon një akuzë, por pa gjyq. Ajo që ka ndodhur dje ka kaluar çdo limit në raport jo me të drejtën absolute, por në raport me ndarjen e domosdoshme të pushteteve dhe me domosdoshmërinë që një pushteti t’i japësh mundësinë të ushtrohesh në kohën që gjykohet.

/tvklan.al