Ish-Zonja e Parë e SHBA-së, Michelle Obama, nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e Donald Trump javën e ardhshme. Lajmin e konfirmoi zyra e saj për shtyp, por pa shpjeguar pse ajo e ka marrë vendimin.

“Ish-presidenti Barack Obama do të marrë pjesë në ceremoninë inauguruese të 60. Ish-Zonja e Parë, Michelle Obama, nuk do të marrë pjesë”, tha në një deklaratë zyra për shtyp e çiftit Obama.

Ky vendim duket se është një thyerje e traditës për ceremoninë, ku ish-presidentët marrin pjesë zakonisht me gratë e tyre. Ish-presidentët George W. Bush dhe Laura Bush do të marrë pjesë në inaugurim, tha zyra e tij ndërsa burime për CNN thonë se edhe Bill Clinton me gruan, Hillary-n, do të jenë atje.

Michelle nuk ishte e pranishme as në meshën e javës së kaluar për Presidentin e ndjerë, Jimmy Carter. Ndryshe nga ajo, ish-Presidenti Barack Obama ishte i pranishëm dhe qëndroi ngjitur me Trump. Madje ata u panë duke biseduar.

Michelle Obama ka folur hapur për antipatinë e saj ndaj Trump, të cilin e akuzon se ka vendosur familjen e saj në rrezik nga retorika që ai përdor.

Në 2017 ajo i la mënjanë inatet personale dhe mikpriti presidentin e zgjedhur asokohe, Donald Trump me bashkëshorten e tij, Melania-n, para betimit të Trump./tvklan.al