Deputetja e PD-së Grida Duma ishte këtë të enjte në “Milori Live”, në Klan News, për të treguar më tepër rreth asaj që po ndodh në Partinë Demokratike dhe vendimet e rëndësishme që pritet të merren së shpejti. Ajo ka folur për fjalimin e kryeministrit Rama në Këshillin e Evropës, duke e  cilësuar të gabuar qëndrimin e tij “hakërryes” ndaj këtij Këshilli.

 Gjithashtu ajo foli për Ballkanin e hapur si edhe për një çështje, e cila po debatohet shumë së fundmi që është amnistia fiskale. Duke u ndalur te kjo çështje Grida Duma tha se duhet rishikuar drafti, nëse pjesë e amnistisë fiskale janë vërtetë paratë e emigrantëve apo kjo bëhet për “pika të errëta të investitorëve strategjik”.

Mirela Milori: Amnistia do 84 vota që të kalojë, Rama është shumë i bindur se do e kalojë. Ka gjasë të bashkoni votën me Ramën? Flas për ata deputetë që nuk mbështesin Berishën, ndoshta nuk janë as me  zotin Alibeaj, por janë më vete.

Grida Duma: Ne kemi takime të shpeshta me ndërkombëtarët, shqetësimet e tyre na i kanë bërë të ditura, që amnistia fiskale është në dëmtim të Shqipërisë, në rrugën e integrimit dhe për vendin. Kjo është ajo që na kanë prezantuar. Ne duhet të na paraqitet ky draft i famshëm, të cilin FMN-ja e ka kthyer mbrapsht duke thënë se ajo që na është paraqitur ka probleme të mëdha. Në dijeninë time, këto janë biseda në korridore, i është kërkuar qeverisë që të ripërcaktojë termat e referencës për amnistinë. Në qoftë se e ka vërtetë për paratë e emigrantëve, të cilat duhet të investohen në Shqipëri, sepse ata që kanë punuar në punë të zezë, nuk kanë pasur mundësi t’i legalizojnë në vendin e tyre, ne nuk mund të jemi kundër emigrantëve tanë. Por drafti nuk është për ata, është për pika të errëta të investitorëve strategjik. Në qoftë se bëhet fjalë për fëmijët e shqiptarëve duhet ta shikojmë në letër këtë gjë. Sipas FMN-së nuk është kështu. Në korridoret e politikës flitet se është kthyer drafti mbrapsh. Nuk kemi shkuar ndonjëherë të votojmë një gjë kur e dimë që Amerika dhe Evropa thonë “stop”, besoj se jemi forca që duhet të mbajmë linjën që mbron rrugëtimin evropian të Shqipërisë./tvklan.al