Gazetarja e Klan News, Mirela Milori, ishte e ftuar këtë enjte në emisioni “Rudina”, në Tv Klan për të treguar për përvojën e saj të përkthimit. Ajo së fundmi ka sjell në gjuhën shqipe një libër të Natasha  Lester “Rrobaqepësja e Parisit”, i  botuar nën kujdesin e “Ombra GVG”. Ky është libri i pestë që Mirela Milori ka sjellë në shqip dhe sipas saj përkthimi e pasuron.

Teksa tregonte  për pasionin e saj Mirela Milori, mori një surprizë të këndshme nga mikesha e saj botuesja Vasilika Tafa

“Është vështirë të flasësh nga kjo tavolinë, por gjithsesi qenka shumë bukur të përcjellësh mesazhe zemre. Përshëndetje Rudinë, të falënderoj përzemërsisht që nëpërmjet emisionit tuaj përcjell veprat më të bukura të botuara në shqip! Aty afër ti ke një miken tonë, një gazetare, e cila di nëpërmjet kësaj studio të përcjellë lajme të rëndësishme, por aty ka ardhur të sjellë një libër të përkthyer jashtëzakonisht bukur nga Mirela Milori. Përshëndetje e dashur Mirela! Mes fjalës tënde ke sjellë në gjuhën shqipe shumë vepra nën logon e “Ombra”, por kësaj radhe një vepër mjaft të bukur të Natasha Lester. Ke ditur të qendisësh fjalën dhe të sjellësh emocione të forta të luftës botërore në Parisin e viteve 40. Ke ditur të japësh bukur mes faqeve të librit edhe fëshfërimën e fustaneve të modës të Fabielës dhe Estelës. Dua të të falënderoj për të gjithë punën tënde e cila ka qenë e bukur edhe emocionuese. Them që të dish të luash me fjalën si nëpërmjet lajmit edhe nëpërmjet përkthimit është një art, këtë art mbaje fort dhe përcille sa më bukur te lexuesi shqiptar. Të faleminderit Rudinë për gjithçka që bën për ne!”,tha botuesja Vasilika Tafa duke emocionuar kështu gazetaren Mirela Milori.

Mirela Milori: Më emocioni!

Rudina Magjistari: Vasilika kishte shkuar fiks në studion ku Mirela Milori jep lajmet çdo ditë, në studion e saj.

Mirela Milori: Nuk e di ku e ka gjetur kohën ajo, se ne jemi “live” gjatë gjithë kohës atje.

Rudina Magjistari: Shumë e gatshme Vasilika për të realizuar këtë suprizë dhe këtë mesazh të bukur që donte ta thoshte publikisht, të shprehte mirënjohjen e saj.

Mirela Milori: Më emocionoi shumë!

Rudina Magjistari: Ke arritur të sjellësh edhe zhurmën e fëshfërimës së fustaneve të personazhit tha, shumë e bukur.

Mirela Milori: Unë të thash nuk është e lehtë. Unë pasurohem duke përkthyer. Përkthimi të pasuron është vlerë, është me ty tërë jetën ajo që ti mëson. Ky libër është një shoqërues shumë i mirë, por mbi  të gjithë përmes këtij libri fitova një mikeshë të mirë si Vasilika dhe kjo është shumë më e rëndësishme se shumë gjëra të tjera. Më emocioni tani!/tvklan.al