Kombet e Bashkuara miratuan me pjesëmarrjen e liderëve nga e gjithë bota “Paktin për të Ardhmen” që synon adresimin e sfidave të shumta të shekullit, që nga konfliktet e armatosura, ndryshimet klimatike dhe të drejtat e njeriut.
Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres, i cili organizoi “Samitin për të Ardhmen” që i paraprin nisjes së sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme, e cilësoi këtë dokument si një “mundësi që vjen një herë në një gjeneratë” për të rishkruar historinë njerëzore duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar.
Samitin e përshëndeti edhe kryeministri Edi Rama, i cili ndërsa mbështeti paktin dhe angazhimet që ai përmban, theksoi se vendet anëtare të OKB-së duhet të kenë kurajon dhe të pranojmë se së fundmi veprimet ndërmara shumë shpesh kanë qenë larg përmbushjes së pritshmërive të popujve.
“Sot sytë e botës duhet të jenë të kthyera në këtë mbledhje. Mund të themi se popujt e botës vazhdojnë të besojnë në premtimin e një të ardhmeje më të mirë ndërsa na shohin të mbledhur këtu. Dyshoj seriozisht për këtë dhe kjo është diçka me të cilën duhet të përballemi nën këtë çati të OKB.”
Ai theksoi se sfidat, por edhe problemet me të cilat është përballuar bota vitet e fundit kanë nxjerrë në pah nevojën për një bashkëpunim më të madh.
“Jemi buzë një rreziku të jashtëzakonshëm dhe askush nuk është i sigurt pavarësisht pozitës gjeografike. Sfidat tona janë të ndërlidhura tërësisht. Nëse nuk përballemi me veprim shumëpalësh do dështojmë. Angazhimet e vetme nuk janë të mjaftueshme.”
Gjatë fjalës së tij në sallën ku zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme, kreu i qeverisë prezantoi për herë të parë para liderëve të tjerë të botës edhe nismën për krijimin e një shteti bektashi brenda Tiranës.
“Nënë Tereza na ka kujtuar se jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën rrekemi të veprojmë e ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës, si një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë!”
Miratimi i tekstit të Paktit për të Ardhmen u përball me një vonesë të shkurtër pasi zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, paraqiti një amendament që theksonte “parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve”. Kundërshtimet e Rusisë u mbështetën nga aleatët e saj, si Bjellorusia, Koreja e Veriut, Irani, Nikaragua dhe Siria, por amendamenti i saj u hodh poshtë me shumicë dërrmuese.
Tv Klan