Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka udhëzuar ushtrinë të organizojë një plan për largimin vullnetar të palestinezëve nga Gaza, e cila është shkatërruar nga lufta.
“Unë kam udhëzuar ushtarakët të përgatisin një plan për të mundësuar largimin vullnetar për banorët e Gazës. Plani do të përfshijë opsionet e daljes përmes kalimeve tokësore, si dhe marrëveshje të veçanta për nisje nga deti dhe ajri”, shtoi ai, duke e quajtur planin e Trump si “të guximshëm”.
Katz nuk tha se nëse palestinezët do të mund të ktheheshin një ditë në Gaza, që është bërë e pabanuar pas fushatës ushtarake 15-mujore të Izraelit kundër Hamasit. Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se zhvendosja do të ishte vetëm e përkohshme, por palestinezët kanë shprehur frikën se Izraeli nuk do t’i lejojë që të kthehen më.
Detajet e planit të Trumpit, mbeten të paqarta. Ende nuk dihet se nën çfarë autoriteti mund ta merrte SHBA-ja nën kontroll Gazën ose si do të zhvendoseshin 2.3 milionë banorët e saj.
Duke reaguar ndaj propozimit, Kombet e Bashkuara paralajmëruan se çdo zhvendosje e detyruar e palestinezëve do të ishte “e barabartë me spastrimin etnik”. Udhëheqësit botërorë kundër idesë së Trumpit mbështetën formulën e zgjidhjes me dy shtete, e cila ka qenë baza e politikës së SHBA-së në dekada.
Arabia Saudite, një aleat kryesor i SHBA-së në Lindjen e Mesme, ka thënë se nuk do të vendosë lidhje diplomatike me Izraelin pa krijimin e një shteti palestinez, duke kundërshtuar Trumpin. Presidenti amerikan ka ofruar gatishmërinë e SHBA-së për të pastruar rrënojat dhe municionet e pashpërthyera, duke mënjanuar pjesën për shpërnguljen e popullsisë.
Gjithashtu Shtëpia e Bardha tha se Trump nuk do të dërgojë trupa në Gaza, por theksoi se vendet e rajonit duhet të përfshihen më shumë.
Klan News