Në një samit të mbajtur në Vatikan dedikuar të drejtave të fëmijëve, Papa Françesku dënoi vdekjen e tyre në konfliktet globale, duke thënë se “asgjë nuk vlen më shumë se jeta e një fëmije”.
Papa Françesku shtoi kritikat e tij ndaj fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza. Disa javë më parë, ai e quajti situatën humanitare në enklavën palestineze “shumë serioze dhe të turpshme”.
“Ne jemi këtu për të thënë se nuk duam që kjo të bëhet normalja e re. Ne rrezikojmë të humbasim atë që është më fisnike në zemrën e njeriut, dhembshurinë dhe mëshirën. Ajo që kemi parë çdo ditë në kohët e fundit, janë fëmijë që vdesin nën bomba, sakrifikuar për idhujt e pushtetit, ideologjisë dhe interesave nacionaliste dhe kjo është e papranueshme. Të vrasësh fëmijë është të mohosh të ardhmen.”, tha Papa Francesku.
Në fjalimin e tij ai kritikoi gjithashtu numrin e fëmijëve të zhvendosur nga konfliktet globale, të cilin Kombet e Bashkuara e vlerësojnë në rreth 38 milionë.
“Ne kujtojmë fëmijët e vegjël Rohingya që shpesh luftojnë për t’u regjistruar. Fëmijët pa dokumente në kufirin e SHBA, viktimat e para të atij eksodi dëshpërimi dhe shprese të emigrantëve që vijnë nga Jugu drejt Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë të tjerë”, tha Papa Francesku.
Në samitin një ditor ishin të pranishëm një sërë liderësh globalë, mes tyre Mbretëresha Rania e Jordanisë, Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani dhe ish-Presidenti indonezian Megawati Sukarnoputri për të diskutuar të drejtat e fëmijëve.
Klan News