Numri i viktimave si pasojë e sulmeve izraelite në të gjithë Rripin e Gazës ka shkuar në të paktën 50.

Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thonë se të paktën 17 njerëz humbën jetën nga sulmet pranë Al-Falouja në Jabalia, më i madhi nga tetë kampet e refugjatëve të Gazës, ndërsa 10 të tjerë u vranë në Bani Suhaila në Khan Younis në jug kur një raketë izraelite goditi një shtëpi.

Situata për të mbijetuarit në Jabalia është shumë e vështirë pasi edhe ndihmat humanitare që vijnë nga OKB-ja nuk mund të mbërrijnë dot. Punonjësit humanitare të OKB-së thonë se shpresojnë që 30 kamionë të tjerë me ndihma ushqimore të hyjnë në veri të Gazës ndërsa e përshkruajnë gjendjen si tejet të kritike.

Ndërkohë, në Liban aty ku edhe Izraeli ka hapur një tjetër front lufte më shumë se 1.2 milionë njerëz janë zhvendosur nga jugu i vendit.

Kryeministri i përkohshëm i Libanit Najib Mikati është shprehur për rrjetin televiziv “Al Jazeera” se vendi i tij kishte marrë garanci nga SHBA se Izraeli do të reduktojë sulme në Bejrut dhe periferitë e tij jugore. Mikati shtoi se qeveria e tij ka vendosur t’i paraqesë një kërkesë Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një armëpushim.

Klan News