OpenAI ka siguruar një marrëveshje 250 milionë dollarëshe për të hyrë në përmbajtjet e Wall Street Journal, New York Post, The Times, The Daily Telegraph dhe një mori mediash të tjera në pronësi të News Corp.
Sipas një njoftimi për shtyp, News Corp do të lejojë OpenAI që të hyjë në përmbajtjet e lajmeve. Kjo do t’i japë mundësi chatbot-it që të bazojë përgjigjet ndaj pyetjeve të përdoruesve në burime të besueshme informacioni.
Kompania do të hyjë në përmbajtjet e tanishme dhe të arkivuara të The Wall Street Journal (WSJ), Barron’s, Financial News (FN), The Times, The Sunday Times dhe The Australian. Grupi i dytë i mediave që do t’i lejohet përfshin MarketWatch, Investor’s Business Daily, New York Post, The Sun, news.com.au, The Daily Telegraph dhe The Courier Mail.
News Corp përcakton se veç përmbajtjes, kompania do të japë “ekspertizë gazetareske për të ndihmuar në arritjen e standardeve më të larta të gazetarisë”. Sipas Wall Street Journal, marrëveshja mund të vlejë më shumë se 250 milionë dollarë brenda 5 viteve.
Kompanitë e AI po garojnë për të siguruar dominancën në industri. Lëvizja e fundit nga OpenAI për partneritetin me News Corp mund të jetë një strategji për të qëndruar në krye të garës.
Marrëveshja vjen pas një bashkëpunimi me Reddit që u njoftua javën e shkuar. OpenAI do të mund të hyjë në përmbajtjet e Reddit dhe do të prezantojë opsione të inteligjencës artificiale në platformën e rrjeteve sociale. Kompania ka nënshkruar marrëveshje edhe me DotDash, Meredith dhe Financial Times./tvklan.al