Shkencëtarja shqiptare, Mira Murati është renditur nga revista “Time” mes 100 personave më me ndikim në botë në fushën e teknologjisë dhe që kanë bërë revolucion me inteligjencën artificiale.
Ky edicion i revistës së njohur nderoi figurat që sipas saj po bëjnë hapa gjigantë për transformimin teknologjik. Shqiptarja është vendosur në listën e inovatorëve. Por për të mbërritur deri këtu, Time shkruan se Mira kaloi 12 muaj të trazuar, por ajo mbeti, një nga forcat shtytëse pas rritjes meteorike të Open AI.
Si shefe e teknologjisë së kompanisë, ajo thuhet se punoi në prapaskenë për të udhëhequr modele si Chat GPT drejt adoptimit të zakonshëm. Nëntorin e kaluar ajo u vu në qendër të vëmendjes kur u emërua CEO e përkohshme e kompanisë. Në maj, ajo prezantoi modelin që impresionoi përdoruesit me ndërveprimet e sofistikuara zanore në kohë reale.
Ajo avancoi në përparimin e kompanisë me Search GPT, një motor i ri kërkimi. Por Murati është përballur edhe me kritika, sidomos për çështjen e të drejtave të autorit për videot e YouTube. Ajo provokoi edhe debate kur tha se inteligjenca artificiale do të zëvendësojë disa profesione që sipas saj “nuk duhet të kishin ekzistuar”.
Tashmë Murati dhe ekipi i saj po punojnë për një platformë inteligjence artificiale të gjeneratës së ardhshme.
Tv Klan