Motra e drejtuesit të OpenAI, Ann Altman ka ngritur një padi ndaj vëllait të saj duke e akuzuar për abuzim seksual nga viti 1997-2006.
Padia e ngritur më 6 janar në një gjykatë të Misurit, pretendon se abuzimi nisi kur ajo ishte 3 vjeçe ndërsa Sam 12.
Në një deklaratë të përbashkët me nënën dhe dy vëllezërit e tij, të postuar në X, Sam Altman mohoi akuzat duke thënë se “të gjitha këto pretendime janë absolutisht të pavërteta”. Në deklaratë përshkruhet se familjarët e mbështesin Ann financiarisht çdo muaj, paguajnë gjithçka, kërkojnë ndihmë mjekësore për të por ajo vijon të kërkojë më shumë para prej tyre.
“Të kujdesesh për një familjar që përballet me sfida të shëndetit mendor është tejet e vështirë”, shkruhet në deklaratë. “Kjo situatë i ka shkaktuar dhimbje të thellë gjithë familjes”.
My sister has filed a lawsuit against me. Here is a statement from my mom, brothers, and me: pic.twitter.com/Nve0yokTSX
— Sam Altman (@sama) January 7, 2025
Dokumentacioni i padisë është parë nga BBC dhe Ann Altman pretendon që abuzimi i cili ndodhi për shumë vite, përfshinte edhe përdhunimin. Më tej, shton se i vëllai e abuzonte kur ai kishte arritur moshën madhore, por ajo ishte ende e mitur.
Sipas saj, ndodhte “disa herë në javë”, duke nisur me seks oral e më vonë penetrim. Në padi deklarohet se “si rezultat direkt dhe pasues i akteve të vazhdueshme të sulmit seksual”, paditësja ka përjetuar “shqetësim të fortë emocional, shqetësim mendor dhe depresion që pritet të vijojë edhe në të ardhmen”, raporton CNBC.
Ajo kërkon zhvillimin e një gjyqi dhe dëmshpërblim mbi 75 mijë dollarë. Ann Altman ka bërë edhe më parë akuza të ngjashme ndaj të vëllait duke i postuar në rrjetet sociale.
Sam Altman është një nga personat më të rëndësishëm në industrinë e teknologjisë. Në vitin 2022, OpenAI prezantoi chatbot-in e Inteligjencës Artificiale (IA), ChatGPT./tvklan.al