Policia ka goditur një grup kriminal në Divjakë, i cili merrej me shitjen e dozave të kokainës, në Divjakë. Sipas asaj që bën të ditur policia theksohet se tre persona kanë rënë në prangat e policisë, mes tyre 2 vëllezër bashkëorganizatorë të grupit dhe 1 pjesëtar i grupit.
Gjithashtu janë shoqëruar mbi dyshime për pjesëmarrje në këtë grup, 10 shtetas të tjerë.
Ndërkohë janë sekuestruar dhjetëra doza kokaine, 3 armë gjahu, 1 armë sportive, 1 armë e ftohtë, municion luftarak, 2 peshore elektronike dhe shuma parash në euro dhe lekë të përfituara nga shitja e dozave.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Zona”, si rezultat i një hetimi gjashtëmujor, për goditjen e një grupi kriminal të implikuar në shitjen e dozave të Kokainës, në Divjakë. Identifikohen dhe vihen në pranga 3 shtetas, 2 vëllezër bashkorganizatorë të grupit dhe 1 pjesëtar i grupit. Shoqërohen mbi dyshime për pjesëmarrje në këtë grup, 10 shtetas të tjerë.
Sekuestrohen dhjetëra doza Kokaine, 3 armë gjahu, 1 armë sportive, 1 armë e ftohtë, municion luftarak, 2 peshore elektronike dhe shuma parash në euro dhe lekë të përfituara nga shitja e dozave. Si rezultat i një hetimi të ndjekur me metoda speciale, për rreth 6 muaj, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë së një grupi kriminal në fushën e narkotikëve, që vepronte në Divjakë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, finalizuan operacionin “Zona”.
Në kuadër të këtij operacioni: -u arrestuan shtetasit A. P., 30 vjeç dhe M. P., 32 vjeç, vëllezër; -u ekzekutua urdhri i Prokurorit, për ndalimin e shtetasit O. L., 31 vjeç; -nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit V. Rr dhe S. B.; -më parë, gjatë periudhës hetimore, është vënë në pranga shtetasi E. T..
Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me të tjerë, të organizuar si grup me organizatorë shtetasit A. P. dhe M. P., shitnin doza të lëndës narkotike Kokainë, në Divjakë.Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për të individualizuar përgjegjësinë penale të 10 shtetasve të shoqëruar, si dhe për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë pjesëtarët e grupit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.