Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 25-vjeçar që trafikonte drogë nga Tajlanda drejt Shqipërisë. Autoritetet thonë se sekuestruan 2 kilogramë kanabis me përqindja të lartë THC me vlerë 40 mijë euro.
“Si rezultat i operacionit policor të koduar “Destinacioni 4”, u arrestua shtetasi R. S., 25 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se trafikonte lëndë narkotike kanabis me përqindje të lartë THC, nga Tajlanda në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar”, njoftoi policia.
Uniformat blu shprehen se i riu u kap në flagrancë. Në momentin e arrestimit, atij i janë sekuestruar edhe shuma parash, celularë, sende me vlerë dhe prova të tjera të vlefshme për hetimin.
Ndërkohë vijon puna për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Siç duket nga pamjet, i riu është arrestuar në momentin që po e merrte drogën nga posta.
Kjo nuk është hera e parë që policia e Tiranës zbulon një skemë të tillë të trafikut të drogës. Si pasojë e shitjes së kanabisit tajlandez janë vënë 3 persona të tjerë në pranga në fillim të Shkurtit. Edhe në dhjetor të vitit të kaluar ranë në pranga 3 persona të tjerë që përdornin të njëjtën skemë./tvklan.al