Të ftuar:

Matina Çobo – nutricioniste

Suela Xhufi – mjeke toksikologe

Gazetare: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Pulë frikase

800 gr mish pule

2 lgj miell

1 gotë kos

2 të verdha veze

2 lgj lëng limoni

2 lgj vaj ulliri

1-2 lgj gjalpë

Kripë dhe piper i zi

1 thelb hudhër (sipas dëshirës)

2 lgj kopër ose majdanoz

Lajmë, thajmë mishin dhe e kaurdisim atë sa të zverdhet pak. Shtojmë në tenxhere ujë të nxehtë dhe e lëmë të ziejë për 35-40 minuta. 10 minuta pasi të fillojë zierja e mishit, shtojmë 1 lugë çaji kripë. Në një tigan të thellë shkrijmë gjalpin dhe kaurdisim miellin pa i dhënë ngjyrë, vetëm 2-3 minuta. Shtojmë 1 thelb hudhër të shtypur e më pas e më pas e shuajmë miellin me lëngun e pulës. E përziejmë kremin deri sa të marrë valë e më pas e shtojmë salcën e përgatitur në tenxheren me mish pule dhe i japim një valë së bashku me copat e pulës. Ulim temperaturën në minimum. Në një tas përziejmë të verdhat e vezëve, 2 lugë gjelle lëng limoni, i përziejmë mirë e më pas shtojmë kosin. Shtojmë përzierjen e vezëve me kosin në tenxheren me temperaturë të ulët. E përziejmë ngadalë deri sa frikaseja të marrë një valë të lehtë. Në fund shtojmë kopër ose majdanoz dhe pak piper të zi sipas dëshirës.

Sallatë e stinës me rukola

2 dardha (mesatare)

2 grushta me rukola

Kripë dhe piper i zi

3 lgj vaj ulliri

Uthull balsamike (sipas dëshirës)

1 fk shegë

50 gr arra

50 gr djathë të bardhë feta

Pastrojmë dardhët, i thajmë ato e më pas i presim në feta shumë të holla. Vendosim fetat e dardhave si bazë në pjatancën ku do të përgatisim sallatën. Në një tas vendosim rukolën të cilën e marinojmë me pak kripë, piper të zi, vaj ulliri dhe 1-1,5 lugë gjelle uthull balsamike. E përziejmë rukolën lehtë me duar dhe e vendosim mbi dardhët. Shpërndajmë mbi sallatë kokrrat e shegës. Mbi to shpërndajmë arrat e copëtuara në copëza të mëdha e në fund thërrmojmë djathin feta. E shërbejmë menjëherë.

Ja çfarë ju duhet që të mos ju zërë alkooli

“Provo dhe shiko”, rasti i vetëm kur mund ta toleroni një produkt në datë skadence

Hap frigoriferin, merr një produkt dhe sheh se sapo ka mbërritur data e skadencës. Në shumë raste,  produkti përfundon në kosh, bashkë me paratë e shpenzuara me të por ka një rast kur mund ta konsideroni jetëgjatësinë e tij.

Nutricionistja Matina Çobo shpjegon në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se siguria e një produkti që është në datën e skadencës varetnga disa faktorë. Ruajtja në kushtet e duhura mund të rrisë jetëgjatësinë e tij,  por nuk duhet konsumuar pa u siguruar më parë.

Katerina Trungu: Data e skadencës natyrisht që tregon deri kur ne duhet ta përdorim një produkt. Nëse jemi në atë datë, a duhet ta konsumojmë?

Matina Çobo: Duhet ta provojmë njëherë, por varet nga produkti, varet si ka qëndruar ai produkt, pra në qoftë se janë ruajtur edhe kushtet e magazinimit, çdo gjë, ekspozimi në temperatura të larta mund të favorizojnë prishjen edhe para datës së skadencës kështu që patjetër duhet të kemi shumë kujdes, por është ajo provo dhe shiko.

Katerina Trungu: Nëse është në kushtet e duhura, mund të tolerojmë atë datën fikse.

Habit mjekja: Na vijnë fëmijë 9 vjeç përdorues droge

Alarmi, fëmijët 9 vjeç rezultojnë përdorues droge/ Mjekja: Problemi s’janë më familjet në krizë

Në bisedën në emisionin “Shije Shtepie” në Tv Klan, mjekja Suela Xhufi përshkroi një panoramë alarmante të përdorimit të substancave të dëmshme nga të rinjtë shqiptarë. Ajo ndau të dhëna tronditëse, duke theksuar se fenomeni i përdorimit të alkoolit, cigareve dhe drogës ka pësuar një ulje të moshës prej kur fillon.

Xhufi tha se në vitet e fundit ka pasur një rritje të numrit të fëmijëve që fillojnë përdorimin e këtyre substancave që në moshën 9-vjeçare. Problemet nuk lidhen më vetëm me familjet në krizë, por ndodhin edhe në ato mesatare, ku mungesa e vëmendjes prindërore është një nga faktorët  që ajo veçon.

Suela Xhufi: Në qoftë se ne para 5-6 vjetësh cigaren e parë, alkoolin e parë e kishim 11 vjeç, unë kam  pasur pacientë  që kanë filluar 9 vjeç. Kemi një barazim të sekseve, femra-meshkuj, pra femrat kanë filluar të përdorin jo vetëm drogën por edhe alkolin, pavarësisht se femrat kanë një nivel më të ulët tw ardhjes së të kërkuarit ndihmë se e menaxhojnë më mirë se meshkujt këtë lloj pjese ose sepse ndoshta është opinioni dhe nuk vijnë shumë femra, meshkujt vijnë më shpesh. Ne i shikojmë në rastet e rënda që është rritur numri i përdorimit te femrat, pra kemi njëfarë barazimi.

Katerina Trungu: 9 vjeç?! Nuk ma merrte mendja kurrë që do e dëgjoja një gjë të tillë.

Suela Xhufi: Ka pasur shumë raste, 9 vjeç, jo vetëm të alkoolit por edhe të marijuanës, cigares së parë.

Agida Koçi: Janë fëmijë që vijnë nga një situatë rruge?

Suela Xhufi: Jo, janë fëmijë që vijnë nga familje shumë të shëndetshme. Janë fëmijë nga familje…ky është problemi. Nëse deri dje kemi pasur fëmijë nga familje që prindërit janë ose të divorcuar, ose pa  një prind, familje në varfëri ekstreme ose shumë të pasura, tani kemi familje mesatare, kemi familje që janë prindër shembullorë. Problemi qëndron te mosqenia prezent gjatë ditës me fëmijët, të paktën unë këtë emër mund t’i vë.

Katerina Trungu: Dhe kur trokasin këta fëmijë te dera e mjekut  për ndihmë në moshë kaq të hershme…

Suela Xhufi: Ata trokasin në moshë jo të hershme, jo 9, ata trokasin në moshën 15-16 vjeç kur kanë filluar t’i përdorin të gjitha.

Abuzim nga ushqimi? Ja si të rimëkëmbeni