#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Të ftuar: Gazment Bardhi, Iris Luarasi, Baton Haxhiu, Eni Ferhati, Spartak koka
Ditën e mërkurë të javës së kaluar, thuajse një javë më parë Gazment Bardhi i ftuar në studion e emisionit Opinion, për çështjen e marrëveshjes midis partisë demokratike dhe partisë socialiste deklaroi që kishte mbetur pezull një gjë, të cilën e kishim diskutuar që do e sillte si denoncim në emisionin Opinion që në muajin tetor. Për arsye të zhvillimeve politike, kishte mbetur pezull. Javën e kaluar Bardhi deklaroi që do të vinte për të bërë këtë denoncim në studio, një denoncim sipas tij, për një familjar të kryeministrit Rama. Unë i kërkova që denoncimi të mos vinte drejtpërdrejt në emision, për arsye se gazetarët duhet të ishin të përgatitur me faktet, kështu që sot është bërë një konferencë shtypi me pikat kryesore që të ftuarit në studio të ishin të përgatitur për të ballafaquar me pyetje-përgjigje atë. Në emisionin e sotëm, Bardhi do të jetë për një orë e 35 minuta pa ndërprerje me hapesirë publicitare , në denoncimin e tij që është bërë publik sot rreth orës 13 e 30 në selinë e partisë demokratike e do të vijojë në një panel me 4 gazetarë.
“Personi 45-vjeçar i paidentifikuar…” Bardhi sqaron në Opinion akuzat ndaj Olsi Ramës
“Vëllai i kryeministrit Edi Rama ka qenë i përfshirë në laboratorin e drogës në Xibrakë”.
Kjo deklaratë dhe premtimi i Blendi Fevziut për ta ftuar për të folur për këtë çështje e kanë sjellë sërish këtë të enjte në studion e emisionit “Opinion”, kreun e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi (Lexo më shumë).
Ai sqaroi denoncimin e tij të bërë sot ndaj vëllait të kryeministrit Rama, Olsi Rama.
“Denoncimi që unë kam bërë sot është një analizë e plotë e të dhënave të dosjes penale dhe i kam krahasuar me të dhënat personale të sistemeve shtetërore që përdor vëllai i kryeministrit”, u shpreh ai.
Sipas Bardhit, prokuroria në rastin e laboratorit të Xibrakës, arrestoi 9 persona të cilët më vonë edhe u dënuan. Ndërkohë në dosjen e prokurorisë flitet për një person të paidentifikuar nga policia.
“Prokurorët janë kujdesur që këtë faturën e mosidentifikimit të personit t’ia lënë Policisë së Shtetit që është në varësi të Edi Ramës dhe rezulton që ka hapur një dosje të veçantë, pra një procedim penal të veçantë. Pra në vendimin e gjykatës për dënimin e anëtarëve që u arrestuan thuhet ndër të tjera se në datë 8 Mars 2016 Prokuroria për Krime të Rënda ka ndarë procedime për bashkëpunëtorin e paidentifikuar duke e emëruar me numrin 335/1 procedimi për të cilin ka vlerësuar se kishte nevojë për hetime të tjera lidhur me identifikimin e këtij personi. Në dosjen dhe raportet e policisë ky person identifikohet si personi i moshës 45 vjeç, pra policia dhe prokuroria dinë ekzaktësisht moshën e personit me flokë të shkurtra, pra dinë dhe pamjen e tij dhe që përdor mjetin fuoristradë me targë AA 653 DM. Pra në këtë rast ka munguar vetëm emri”, tha ai.
Sipas Bardhit mjafton të verifikosh të dhënat e vëllait të kryeministrit Rama, Olsi Rama dhe ka një përputhje me cilësimet me të cilat prokuroria i referohet këtij personi të paidentifikuar.
“Së pari Olsi Rama ka lindur më 9 Shtator 1969 dhe në periudhën që flitet, pra Dhjetor 2014, Janar 2015 ka qenë ekzaktësisht 45 vjeç. Së dyti besoj ti e njeh është një person me flokë të shkurtra. Rezulton që është një person me flokë të shkurtra. Ajo që i mbivendoset këtyre të dhënave që mund të jenë të rastësishme me çdo person tjetër ka të bëjë me faktin se sipas të dhënave të sistemit TIMS person i paidentifikuar përdorues i makinës me targë AA 653 DM rezulton të jetë shtetasi Olsi Rama. Këto janë të dhënat e sistemit TIMS, nuk janë shpikur nga Gazment Bardhi. Olsi Rama ka përdorur automjetin që referohet në dosje që përdoret nga ky person, i paidentifikuar…
A ka shqiptar që mund të besojë se policia arrin ta dallojë një person në pamje, arrin t’i caktojë moshën fikse pra nuk ka thënë rreth të 40 apo rreth të 50, ka thënë është i moshës 45 vjeç? A mund t’i caktosh dikujt moshën pa e ditur kush është? Ndërkohë që emrin nuk ia kanë vënë. Emrin ia vë sistemi TIMS sepse përdorimi i makinës me këto targa është bërë nga vëllai i kryeministrit”, tha ai.
Bardhi tha se të njëjtin automjet e kanë përdorur edhe 3 anëtarë të tjerë të grupit kriminal që janë identifikuar.
“Pra 3 të tjerë janë identifikuar, personi i katërt i paidentifikuar që ka përdorur makinën rezulton të jetë Olsi Rama”, tha ai.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD, pronësia e mjetit në fjalë është në emër të një gruaje.
Kujtojmë se kur Bardhi paralajmëroi denoncimin për Olsi Ramën, kryeministri Edi Rama po nga studio e Opinion i ktheu përgjigje shqiptarçe deklaratave të tij. (Lexo më shumë)
“S’kanë ç’i bëjnë gomarit dhe i bien samarit”, reagon Olsi Rama pas akuzave të Gazment Bardhit
Vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama ka reaguar pas akuzave të kreut të grupit të PD Gazment Bardhi se ai është i përfshirë në trafik droge.
Reagimin e tij të plotë e lexoi Blendi Fevziu mbrëmjen e kësaj të Enjteje në “Opinion”, ndërsa në studio ishte i pranishëm Bardhi. Ky i fundit akuzon Olsi Ramën si person të përfshirë në çështjen e organizatës kriminale të Xibrakës, pretendim për të cilin thotë se zotëron dhe dokumente.
Ndërkohë në reagimin e tij, Olsi Rama thotë se është një tentativë e përsëritur për të baltosur emrin e vëllait të tij duke theksuar se çështja në fjalë është hetuar e gjykuar më parë. Ai mohon të ketë lidhje jo vetëm me rastin në fjalë, por edhe me politikën në terësi, duke nënvizuar se është krenar për punën dhe postin që mban i vëllai i tij, kryeministri aktual i vendit.
Më poshtë reagimi i plotë i Olsi Ramës:
Nuk jam as i shokuar, as hiç i habitur nga kjo rinxjerrje e një akuze të përsëritur vite më parë prej një njeriu që nuk ka lënë pjesë të familjes time pa prekur paburrërisht. Futja e njerëzve të familjes tonë – nga babai i ndarë nga jeta para se sa Edi të merrte detyrën, tek i biri kur ishte vetëm 10 vjeç – në çorbën e thashethemeve dhe akuzave nga më monstruozet që kundërshtarët e tim vëllai i sajojnë se s’dinë se si ta mundin atë me votë, është një mizerabilitet njerëzor që ne fatkeqësisht e kemi pranuar si një realitet, por të cilin duhet me doemos ta ndryshojmë sa nuk është shumë vonë. Deri më sot nuk kisha marrë asnjëherë mundimin tju përgjigjesha akuzave drejt meje i ndërgjegjshëm se këto ishin dhe janë pjesë e baltës poltike ndaj tim vëllai e jo ndaj meje.
Kush më njeh e di sa i pastër jam dhe sa kjo baltë nuk më përket, ndaj dhe nuk kam dashur ta hedh mbrapsht. Të njohësh njerëz dhe madje edhe të udhëtosh me ta në ndonjë rast apo në shumë raste, nuk është as diçka për të cilën duhet t’i marrësh leje apo t’i japësh llogari kujt, as diçka që të bën fajtor për çfarëdo faji dikush prej tyre mund të kryejë në jetën e tij personale. As nuk e mohoj dhe as kam asnjë arsye ta fsheh që unë kam njohur në distancë një nga personat në fjalë, po aspak atë për të cilin me aq zell e dëshirë më akuzon ky kanakari i atij sharlatanit famëkeq që na ka sulmuar me qindra herë familjen, ndërsa bën tani prokurorin politik për një çështje të hetuar dhe të gjykuar ku unë s’kam kurrfarë lidhje. Megjithatë s’është as puna ime, as natyra ime të jap e marr me burra që siç thotë populli, “s’kanë ç’i bëjnë gomarit dhe i bien samarit”. Unë kurrë s’kam pasur punë me këtë shtet që kur ika në vitin e mbrapshtë 1997 në kushtet e kërcënimit të jetës dhe pasi jam kthyer në këtë vend ku drejtoj klubin e futbollit “Partizani”. Jam krenar për tim vëlla, e votoj me kënaqësi si pjesë e shumicës së shqiptarëve për kaq vite dhe ia bëj hallall pjesën time të baltës familjare për shkak të detyrës së tij. Po as jam përfshirë ndonjëherë me politikë, apo me hallet e punës së tij dhe as i kam shkuar ndonjëherë në zyrë, apo kam kërkuar ndonjëherë prej tij ose ministrave të tij ndonjë favor. Për shembull, më vjen keq që prej vitesh klubi “Partizani” kërkon pa sukses nga Ministria e Mbrojtjes, kthimin e disa barakave të shkatërruara të ushtrisë në terren sportiv, për t’ia bashkëngjitur kompleksit sportiv që Presidenti i klubit e ka investuar vetë dhe asgjë nuk lëviz Në vitin 2025 Shqipëria do të mikpresë Europianin e të rinjve U-17 dhe stadiumi i Partizanit është përzgjedhur si një nga stadiumet e këtij kompeticioni që vjen për herë të parë në Ballkan. Uroj që qeveria t’ia japë më në fund “Partizanit” ato barraka që kalben mbi tokë pa asnjë ushtar rrotull tyre, që klubi ynë të krijojë një hapësirë të re të gjelbër për shumë djemtë e vajzat që luajnë futboll.
Ndërsa për sa i takon lidhjeve të mia me drogën, ato janë po aq të vërteta sa lidhja me të vërtetën e këtij të paburrit që më akuzon. Kështuqë dhe kaq sa i kushtova këtij teatri kukullash e shpenzova vetëm në emër të dinjitetit të rolit tim si drejtues i një klubi futbolli, ku racizmi dhe droga konsiderohen armiq të njeriut dhe shoqërisë.
“Ai ka dy kënaqësi në jetë”, Baton Haxhiu përshkruan Olsi Ramën
Sonte në “Opinion”, kreu i grupit të PD Gazment Bardhi duke iu referuar dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS vijoi me akuzat e tij ndaj vëllait të kryeministrit, Olsi Rama si të përfshirë në çështjen e Xibrakës.
Teksa pati një reagim nga ky i fundit i cili mohoi të ketë ndonjë lidhje me rastin, edhe analisti Baton Haxhiu përshkroi shkurtimisht Olsi Ramën për aq sa e njeh. Sipas Haxhiut, të akuzosh një njeri të tillë si të lidhur me drogën është njësoj si “të shmangësh të gjitha njohjet reale të njohjes brenda qytetit”.
Baton Haxhiu i drejtohet Gazment Bardhit: Meqënëse më pyete se çfarë mendoj për Olsin, atëherë po ta them. Nga njohjet që unë kam, e besoj që nuk gaboj në shijen dhe perceptimin tim, por edhe në faktet…Unë mendoj që Olsi Rama është hedonist, i përkryer dhe nuk ka lidhje fare si personalitet me këto gjëra. Domethënë nëse do me ta thënë në gjuhën e vrazhdtë, ai ka dy kënaqësi në jetë sa unë e njoh kështu…Një kënaqësi e ka futbollin dhe kënaqësinë tjetër e ka atë që të gjithë e kanë.
Blendi Fevziu: Kush është kjo që e kanë të gjithë Baton?
Baton Haxhiu: Po edhe zoti Gazi e ka përshembull, është një pjesë e këtij hedonizmi dhe ta lidhësh Olsi Ramën me drogën dhe Xibrakën është të shmangësh të gjitha njohjet reale të njohjes brenda qytetit.
Akuzat për Olsi Ramën, Luarasi i kthehet Bardhit: Çfarë do vendosje nëse do ishte ti gjykatësi?
Këtë të enjte në emisionin Opinion kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi denoncoi vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama në lidhje me laboratorin e drogës në Xibrakë. Ai përmendi 3 elementë që sipas tij përkojnë me Olsi Ramën, por shtoi se prokuroria dhe policia nuk i kanë hetuar siç duhet që kanë të bëjnë me moshën e tij, flokët e shkurtra dhe përdorimin e një mjeti. Duke analizuar këto elemente, pedagogia Iris Luarasi rrëzoi provat e Bardhit duke i shtruar edhe një pyetje se çfarë vendimi do të jepte nëse do të ishte ai gjykatës dhe të kishte përpara këto prova.
“E para 45 vjeç në atë vit në Shqipëri mund të kenë qenë edhe 100 mijë të tjerë. Burra me flokë të shkurtër, 99% e burrave që jetojnë në Shqipëri dhe fakti që është përdorues i kësaj makine ndërkohë që ajo makinë është në pronësi të një zonje dhe e kanë përdorur makinën dhe njerëz të tjerë dhe nga deklarata që dëgjojmë nga zoti Olsi Rama ai nuk mohon asnjë prej lidhjeve me pronarët e makinës. Nuk thotë që nuk i njoh këta njerëz. Ai thotë kam njohje në distancë me njërin prej tyre. Të treja këto elemente nuk e di nëse quhen dot prova dhe i bëj një pyetje zotit Bardhi nëse ai do ishte gjykatësi i çështjes sot. Nëse ju sot do ju vinte një prokuror, do ju sillte këto 3 të dhëna dhe do ju thoshte këto janë 3 fakte të pakundërshtueshme që një person është 45 vjeç, që ai është me flokë të shkurtra dhe që ai është përdorues i këtij mjeti. Ju si gjykatës çfarë vendimi do të jepnit sot?”, pyeti ajo.
Ndërkohë që Bardhi u përgjigj se nuk është gjykatës dhe me denoncimin e tij po ndihmon prokurorinë.
“Sot kam ndihmuar prokurorinë t’i fshijë pluhurin asaj dosjes që ka më shumë sesa 8 vjet që rri atje veçuar se ka nevojë për t’u hetuar, por në fakt nuk hetohet. Së dyti kam dhënë të dhënat meqenëse policia nuk e identifikonte dhe ka parë vetëm moshën. Policia ka thënë ky është 45 vjeç, përdor këtë makinën, por unë nuk e di sesi quhet. Po jap një indicie që ky mund të quhet Olsi Rama. Unë nuk jam për të dhënë vendim gjykate, por jam për të nxitur organet e drejtësisë dhe këtë duhet të bësh dhe ti dhe çdo njeri tjetër”, u përgjigj ai.
Luarasi nuk përmbahet ndaj Bardhit: 3 fakte qesharake! Do të të kisha ngelur në klasë
Akuzat e kreut të PD Gazment Bardhi ndaj vëllait të kryeministrit Olsi Rama kanë ngjallur debat sonte në studion e “Opinion” në Tv Klan.
3 elementë që Bardhi i cilëson fakte për ta akuzuar Olsi Ramën si të përfshirë në çështjen e Xibrakës, pedagogia Iris Luarasi i konsideroi “qesharake”.
Iris Luarasi: 3 elementë që përkojnë me zotin Olsi Rama. E para 45 vjeç në atë vit në Shqipëri mund të kenë qenë dhe 100 mijë tjerë. Burra me flokë të shkurtër, 99% e burrave që jetojnë në Shqipëri. Dhe fakti që është përdorues i asaj makine, ndërkohë që ajo makinë është në pronësi të një zonje dhe e kanë përdorur njerëz të tjerë. Nga deklaratat e zotit Olsi Rama, ai nuk mohon asnjë prej lidhjeve me pronarët e makinës, nuk thotë që nuk i njoh këta njerëz. Me njërin prej tyre thotë kam njohje në distancë. Kështu që të tre këto elementë, unë nuk e di nëse i quajmë dot prova. I bëj një pyetje zotit Bardhi, nëse do ishit gjykatësi, pra nëse ju sot do t’ju vinte një prokuror dhe do u sillte këto tre të dhëna dhe do u thoshte që këto 3 fakte janë të pakundërshtueshme. Juve si gjykatës ça vendimi do jepnit sot?
Gazment Bardhi: Unë nuk jam gjykatës…
Iris Luarasi: Ju keni mbaruar për juridik, supozojmë se jeni gjykatësi i çështjes. Çfarë do u thonit ju në rolin e gjykatësit, jo të prokurorit?
Gazment Bardhi: Ajo që unë kam bërë sot është…Duhet të hetojë prokuroria njëherë që të shkojmë të Gjykata. As rolin e prokurorit se kam bërë unë se po ta kisha bërë, do kisha marrë tabulatet e zotit Olsi Rama.
Iris Luarasi: Dua përgjigjie për këtë pyetje. Dakord ke bërë aq sa ke bërë si politikan, përgjigjiu të lutem pyetjes time. Me gjithë arsimimin tënd juridik…
Gazment Bardhi: Më lejo ta përfundoj. Së pari rastësia e një 45 vjeçari që përdor këtë automjet, që e përdorin gjithë anëtarët e tjerë të grupit kriminal, mua nuk më duket se ka të bëjë me 5 mln shqiptarë.
Iris Luarasi: 5 mln shqiptarë nuk ka në Shqipëri!
Gazment Bardhi: Këtë makinën e kanë përdorur 4 persona.
Iris Luarasi: Sa % e shqiptarëve në 2014-ën kanë qenë burrë dhe me flokë të shkurtra?
Gazment Bardhi: Olsi ka ngelur i paidentifikuar.
Iris Luarasi: Kalojmë te përgjigjia të lutem!
Gazment Bardhi: Unë po jap një indicie që ky mund të jetë Olsi Rama, unë jam për të nxitur organet e drejtësisë që këtë dosje që e kanë pluhurosur për ta mbrojtur personin e gjykuar. Po të isha gjykatës i kisha lënë ca detyra Prokurorisë, po s’dua ta marr këtë rol.
Iris Luarasi: E para njëherë nuk mora përgjigjie, megjithatë një njeri me formim fare elementar në pjesën juridike e di shumë mirë që me këto 3 fakte nëse quhen fakte, ti nuk mund t’i japësh asnjëherë fajësi një njeriu. Kur je përdorues i një mjeti, nëse jemi ne të dy në një mjet dhe larg qoftë ty të shkon mendja të merresh me drogë, kjo më bën mua fajtore?!
Gazment Bardhi: Nuk të shkon të bësh avokaten e një trafikanti droge. Je pedagoge dhe u jep leksione studentëve.
Iris Luarasi: Do më tregosh se çfarë do t;u them studentëvr? Për leksione mund të të jap sa të duash dhe mendoj se një njeri që ka mbaruar juridik nuk mund të japë këto 3 fakte qesharake për të akuzuar dhe quajtur fajtor një njeri. Po të isha pedagoge e të drejtës të kisha ngelur në klasë me këto 3 fakte. Sinqerisht si zyshë, meqë më kërkove përgjigjie.
Nga “Veza” tek “Dudumi”, gazetari zbulon një nga personazhet e paidentifikuar në dosjen “Xibraka”
Këtë të enjte në emisionin Opinion u diskutua në lidhje me denoncimin e bërë nga Gazment Bardhi ndaj vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama për laboratorin e Xibrakës. Sipas Bardhit janë disa elementë që e lidhin Ramën me anëtarët e grupit kriminal të përfshirë në dosjen e Xibrakës.
I ftuar në studio ishte edhe gazetari Spartak Koka që na dha detaje nga dosja në fjalë. Ai u shpreh se nuk ka vetëm një person të paidentifikuar nga hetimi i kësaj çështje. Një prej tyre, sipas tij është edhe djali i një ish-kryeministri të kohës së komunizmi i cili ka njoftuar Genci Xhixhën se policia kishte ndërhyrë në Xibrakë.
“Kjo çështje mesa na rezulton të paktën ne që e kemi ndjekur nuk ka vetëm një person të paidentifikuar hetimi i kësaj çështjeje. Ka disa persona të tjerë të paidentifikuar. Një prej personave të paidentifikuar në hetim është ish-djali i një ish-kryeministri të kohës së komunizmit. E ke me letra, e ke me numër telefoni aty i cili ka qenë personi që ka njoftuar Genci Xhixhën që policia të paktën në transkriptimet e bisedave, i cili e njoftonte se policia kishte ndërhyrë në Xibrakë”, tha gazetari.
Më tej ai shtoi se “Sipas dokumenteve del i paidentifikuar. Po të fusësh numrin e telefonit dhe të dhënat e tjera të lidhura me përgjimin del se është djali i ish-kryeministrit të kohës së komunizmit, unë po rezervohem tek emrat për t’ua thënë. E keni me transkriptim i cili thotë…
Në orën 17:15 minuta i pandehuri Genci Xhixha i cili sipas fjalëve të tij në bisedë ndodhet në shtëpi telefonohet nga përdoruesi numrit telefonik 6731 dhe me radhë i cili në këtë bisedë e njofton se kanë arrestuar “Loken” dhe është ndërhyrë në Xibrakë. I pandehuri Genci Xhixha mundohet të mos bëjë asnjë koment dhe të shtiret në një bisedë normale duke lënë edhe një takim për kafe”, u shpreh gazetari.
Koka tregoi edhe disa prej personave të paidentifikuar që në dosje dalin me nofka.
“Këtu është një person me nofkën “Dudumi” i paidentifikuar person lidhje aktive e grupit shoqëror i cili merrej me të gjithë këtë organizim kriminal. Është një person tjetër, “Veza”, i cili është po person me lidhje të afërta dhe ka shkëmbime bisedash mes tyre për ta takuar në kuadër të veprimtarisë kriminale. Kemi personin tjetër, “Kinezi” i cili është shtetas i huaj ose “Karlos Kinezi”, i cili megjithëse në letra thuhet se ka hyrë bashkë me dy shtetasit kolumbianë nuk identifikohet sepse ka arritur t’u shpëtojë autoriteteve ligjzbatuese”, tregoi gazetari Koka.
Berisha reagon pas debatit në Opinion, ironizon Baton Haxhiun: Sonte meriton të quhet…
Në lidhje me debatin në emisionin “Opinion” për denoncimin e Gazment Bardhit ndaj Olsi Ramës për lidhje me laboratorin e drogës në Xibrakë ka pasur edhe një reagim nga ish-kryeministri Sali Berisha.
“Tmerr nga dokumentat në Opinion! Miq, po ndjek opinionin. Efekti i dokumenteve zyrtare të dosjes hetimore që paraqiti Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike shkatërruan sonte klanin mafjoz Rama.
Për të rrëzuar dokumentat e dosjes së prokurorisë që faktonin se Olsi Rama është eksponent kryesor i grupit Xibraka, klani mafjoz Rama paraqiti si argument të vetëm:
1- Vendimin e gjykatave të varuara prej tij që kanë dënuar dokumentat zytare si shpifje
2- Fletërrufe anadollake e shkruar nga Rama “fajin e ka Saliu””, u shpreh ai në një postim në rrjetet sociale.
Po ashtu nuk la pas ironinë me Baton Haxhiun.
“Së fundi dëshmitari i hobeve të Olsi Ramës, Batoni që sonte meriton plotësisht të quhet Baton Rama. Mjerim, mjerim për ata që dokumentat zyrtare kërkojnë t’i mbulojnë me koprolali”, tha Berisha.
Makina që përdorën trafikantët…e kujt? Bardhi rreshton emrat: Nuk po i përmend…
Gazment Bardhi përsëriti këtë të Enjte në “Opinion” akuzat e tij ndaj vëllait të kryeministrit, Olsi Rama. Sipas tij ky i fundit është i përfshirë në çështjen e laboratorit të drogës në Xibrakë, duke u ndalur te 3 elementë që sipas tij janë indicie të forta për ta hetuar.
Një prej elementëve është dhe automjeti i përdorur në Janar të 2015-ës nga trafikantët. Bardhi thotë se ai automjet rezulton në pronësi të Olsi Ramës dhe kjo gjë s’mund të jetë rastësi. Por, gazetari Spartak Koka e pyeti nëse ai ka dijeni se pronar i po kësaj makine rezulton ligjërisht motra e një ish-ministre demokrate.
Në përgjigjien e tij, Bardhi përmendi disa emra, duke theksuar disa herë që “nuk donte t’i përmendte”.
Spartak Koka: A keni dijeni ju që pronarja e mjetit, që rezulton ligjërisht në sistem është motra e një ish-ministre të Partisë Demokratike? Dhe nëse po, çfarë e lidh atë me këtë grup? Me këtë makinë, a ka lëvizur motra e ish-ministres, a ka lëvizur bashkëshorti i saj? A keni hulumtuar ju si PD gjatë këtyre ditëve se këta persona kanë patur lidhje apo jo, shoqërore, kriminale me këta persona?
Gazment Bardhi: Së pari, po është e vërtetë… Është Onela Bregu shtetasja që rezulton pronare e makinës në këtë moment. Unë nuk e përmenda, sikundër makina tjetër figuron në emrin e zonjës Arta Dade. Makina tjetër që unë kam përmendur. Po unë nuk po i përmend këto emra, makina e tretë që ka përdorur po grupi Olsi Rama bashkë me të tjerët është në pronësi të një prej aksionerëve të bankës “Credins”. Unë nuk po i përmend emrat, duke qenë se verifikimi…
Iris Luarasi: I përmende pra!
Baton Haxhiu: Përmendi se duhesh në Prokurori për këto.
Gazment Bardhi: Verifikimi që kam bërë, është pronësia që kanë automjetet në këtë moment. Unë nuk e di si ka ecur pronësia dhe kush e ka patur pronësinë në 2014-ën. Sepse këtë nuk e tregon sistemi, tregon pronarët e fundit të automjetit. Kjo ishte arsyeja pse nuk i përmenda emrat, nuk kam asnjë merak dhe nuk mbroj askënd. Nëse s’kanë qenë të njëjtët pronarë, u kërkoj ndjesë në emision se nuk kanë lidhje…
“Qenke edhe i poshtër”, debat i fortë mes Baton Haxhiut dhe Gazment Bardhit: Më ço në gjykatë… Ik! Ik!
Emisioni i sotëm në Opinion i ishte dedikuar denoncimit të Gazment Bardhit këtë të enjte ndaj Olsi Ramës për laboratorin e drogës në Xibrakë. Gjatë diskutimeve ka pasur debate me tone të forta ndaj Bardhit dhe analistit Baton Haxhiu, të dy të ftuar në studio.
Haxhiu ka akuzuar Bardhin se nuk ka moral dhe duhet të largohet nga politika. Bardhi i është kundërpërgjigjur analistit duke u shprehur se Haxhiu është “avokat pa pagesë” i çdo afere dhe krimineli të kryeministrit Edi Rama.
Baton Haxhiu: Posaçërisht me ty e kam për arsye se unë në këtë emision kam ardhur për të debatuar politikisht e jo me çështjet e shoë-t prokurorial në studio. Ka pasur konferencë për shtyp, i ka pasur minutat e veta dhe jo unë të dëgjoj një rrëfim kriminalistik filmi të një personazhi politik.
Gazment Bardhi: Dokumenta mo Baton, ku e pe filmin ti.
Baton Haxhiu: Kam problemin me moralin e dy personave, ai i cili ka shkruar dhe ky që është në studio. E para si mund të funksionojnë dy njerëz etikisht…
Gazment Bardhi: Siç funksionon ti me Edi Ramën.
Baton Haxhiu: A bën me u ndal ndonjë herë?
Gazment Bardhi: Tani për moralin e Sali Berishës kemi ardhur këtu ne? Jo o Fevzi se më ke ftuar për Olsi Ramën tani.
Blendi Fevziu: Ai ka të drejtën e fjalës së vet.
Gazment Bardhi: Jo, nuk e devijon dot emisionin me fjalën e vet. A kemi një temë ne? Ai mund të flasë për hënën, unë nuk kam ardhur të dëgjoj përrallat e Batonit për hënën.
Blendi Fevziu: Baton vazhdo.
Gazment Bardhi: Kjo është të ftosh në studio të flasësh për Sali Berishën.
Baton Haxhiu: Me ty do merrem.
Gazment Bardhi: Do merremi me Olsin.
Baton Haxhiu: Problemin e kam me moralin politik tëndin.
Gazment Bardhi: Nuk kam asnjë problem. Për sot kemi ardhur për Olsin. Jo për pasionet e Olsit, por për përfshirjen e Olsit në trafik droge.
Baton Haxhiu: Kam problem me etikën e paraqitjes.
Gazment Bardhi: Ku ka mungesë më etike sesa të vijmë të flasim për dokumente shtetërore të përfshirjes së vëllait të kryeministrit në trafik droge dhe ti të flasësh për Sali Berishën? Pra vazhdon akoma me teorinë “fajin e ka Sali Berisha”.
Baton Haxhiu: Po flet për të pavërtetën.
Gazment Bardhi: Cila është e pavërteta?
Baton Haxhiu: Duke më thënë që ti ke mbrojtur kriminelët dhe ti ke folur për personin e Shkodrës. Nëse unë kam folur ndonjëherë unë nuk vij në studio, por nëse jo ky duhet ta lëshojë politikën.
Gazment Bardhi: Ti je avokati më i zellshëm i kriminelëve të Edi Ramës. Të mos bëjmë teatër, ti je dëshmitar, është avokati i të gjithë kriminelëve të Edi Ramës të prekur nga ligji i dekriminalizimit, avokati i çdo afere korruptive të Edi Ramës nga njëra studio në studio në 10 vite dhe është padiskutim mbrojtësi i çdo zullumi të Edi Ramës, ky është fakt i pamohueshëm.
Baton Haxhiu: Ky qenka edhe i poshtër, i pamoralshëm.
Gazment Bardhi: Më thuaj një aferë të Edi Ramës ku nuk ke luajtur rolin e avokatit pa pagesë.
Baton Haxhiu: Ky qenka edhe i poshtër. Nuk kam pasur fjalën i poshtër.
Blendi Fevziu: S’e ke përdorur kurrë?
Baton Haxhiu: Kurrë asnjëherë.
Blendi Fevziu: Fjalën i poshtër nuk e ka thënë asnjëherë tha, e tha për ty.
Gazment Bardhi: E vërteta dhemb o Fevzi. Sidomos kur bëhen gati miqtë edhe shokët që i njeh pasionet të shkojnë në burg.
Baton Haxhiu: Besimi i publikut duhet me referencë. Cila është referenca e këtij njeriu? Ky një vit më herët ka folur për ‘babën e Zenit’ i cili e mbron me një mesazh për emisionin. Paramendoje ‘baba i Zenit’ ka qenë togfjalëshi i këtij njeriu.
Gazment Bardhi: A e ndryshon kjo fatin e Olsi Ramës?
Baton Haxhiu: A e kujtoni këtë njeri nga Elbasani? A e di çfarë ka thënë? Ky njeri që është politikani i tashëm i udhëheqjes së partisë së rithemelimit, në Elbasan ka thënë do vdesin të gjithë sikur ky. Paramendoni moralin politik të këtij njeriu.
Gazment Bardhi: Kjo është një gënjeshtër, është një shpifje.
Baton Haxhiu: Më ço në gjykatë.
Gazment Bardhi: Do të të çoj unë në gjykatë. Sikundër do të shkosh në gjykatë për të mbrojtur Olsi Ramën dhe jo të vish në studio të bësh avokatin e Olsi Ramës.
Baton Haxhiu: Nëse ky njeri vërteton që Olsi Rama është fajtor do dal publikisht në përkrahje të këtij njeriu për të vërtetën e tij, po nuk e vërtetoi le të ikë nga politika për arsye se nuk ka moral politik që të qëndrojë. Njeriu që nuk ka etikë të prezencës duke gënjyer para sysh duke mos pasur memorie dhe del këtu për të përfaqësuar rithemelimin. Ik! Ik! Nuk mundet të flasë ky më. Nuk ka moral.
Gazment Bardhi: Nga nervozizmi i Batonit…
Baton Haxhiu: Nuk jam fare nervoz!
Gazment Bardhi: Nga fakti që portali i Batonit dhe çdo media e kontrolluar nga PS ky denoncim i sotëm nuk është pasqyruar tregon që kanë arsye për tu dridhur siç u drodh Batoni pa nxjerrë asnjë moment nga goja fjalën Olsi Rama./tvklan.al