Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave po rikonsturktohet tërësisht, pas dëmtimeve që pati nga tërmeti. Kantieri i ndërtimeve u inspektua nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu.

“Për arsye të problematikave të tërmetit ka patur nevojë dhe për rishikim të projektit dhe të realizimit të përforcimeve përkatëse. Është një investim 6 milionë Euro të buxhetit të shtetit dhe të kontributit që vetë Universiteti Politeknik jep, kjo godinë përfundon në Dhjetor të këtij viti”, tha Ogerta Manastirliu.

Godina e Fakultetit Gjeologjisë është ndërtuar në 1939, dhe është monument kulture dhe veç rindërtimit të dy ndërtesave ekzistuese do të ndërtohet dhe Muzeu i ri të Gjeologjisë, për të cilën kryeministri tha të integrohet me parkun dhe të hapet për publikun.

“Duhet gjetur një mënyrë që të mos shqetësohet mësimdhënia, por të jetë dhe si qytet. Për shembull, të shtunave dhe të dielave ju mund ta hapni për publikun këtë pjesë, s’ka asnjë problem”, tha Edi Rama.

Kryeministri ka inspektuar një tjetër kantier ndërtimit, atë të shkollës “Pjetër Budi” në Tiranë, i shoqëruar edhe nga kryetaja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani. Shkolla e cila po ndërtohet nga e para do të ketë kapacitet për afro 1 mijë nxënësdhe pritet të përfundojë në fund të vitit 2025.

Klan News