Gjykata e Posaçme vendos sekuestrimin e mbi 90 pasurive të të akuzuarve për trafik droge: Kristo Qiricit, Eldjan Alushit dhe Shkëlzen Krajës. Sipas SPAK, pronat janë në emër të tyre dhe të afërmve.
Bëhet fjalë për sipërfaqe të ndryshme toke, apartamente, 2 hotele, një vilë në bregdet dhe 19 llogari bankare.
Gjykata e Posaçme më 3 Mars vendosi të lërë në burg 3 oficerët e policisë të arrestuar për trafik droge drejt Greqisë.
Ata kanë ndihmuar grupin krimial që vepronte në Sarandë për të trafikuar lëndë narkotike. Të arrestuarit janë: Shefi i Krimeve në Himarë, Shkëlzen Ruska, Shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjës, Ervis Alisinanaj dhe ish-efektivin Erdit Hazizaj.
Ndërkohë, shefi i Policisë Kufitare në Sarandë, Elvis Dervishi, u shpall në kërkim si pjesa tjetër e të hetuarve që sipas SPAK kanë rezultuar jashtë shtetit.
Sipas SPAK, grupi kriminal drejtohej nga vëllai i Edmond Papës, i cili u vra në Dhjetor të vitit 2020. Kristo Qirici bashkëpunonte me oficerët e policisë për trafikimin e lëndëve narkotike nga Saranda.
Nga hetimet ka rezultuar se në 7 Mars të vitit 2020, nga Qafë Bota, u trafikuan 1.1 tonë kanabis i papërpunuar, 4 tonë kanabis i përpunuar me vlerë rreth 1.7 milionë Euro. Sasia e drogës iu sekuestrua më pas dy shtetasve italianë në Greqi.
Hetimet u kryen në bashkëpunim me autoritetet greke dhe ato franceze dhe janë të bazuara në komunikimet e aplikacionit Sky.
Klan News