Diskutimi i nxehtë në Zyrën Ovale të pak ditëve më parë mes Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij amerikan Donald Trump ishin një shenjë e dukshme e marrëdhënies së tyre së tensionuar.
Ky I fundit tashmë po merr hapa konkretë për zëvendësimin e tij dhe këtë ka menduar ta realizojë përmes kundërshtarëve të tij politikë. Media e huaj Politico shkruan se katër anëtarë të lartë të administratës Trump kanë zhvilluar diskutime sekrete me disa nga kundërshtarët kryesorë politikë të Volodymyr Zelensky në Kiev përfshirë lideren e opozitës ukrainase dhe ish-kryeministren, Yulia Tymoshenko, dhe anëtarë të lartë të partisë së ish-presidentit Petro Poroshenko.
Tre ligjvënësit ukrainas dhe një republikan amerikan i cituar nga Politico bënë me dije se diskutimet u përqëndruan nëse Ukraina mund të zhvillojë zgjedhje të shpejta presidenciale, të cilat po vonohen sepse sipas kushtetutës së Ukrainës ato nuk mund të mbahen për shkak të ligjit ushtarak.
Ndihmësit e Trump janë të bindur se Zelensky do ti humbasë zgjedhjet për shkak të lodhjes së qytetarëve nga lufta dhe zhgënjimit të publikut për korrupsionin e shfrenuar.
Në shkrim theksohet se edhe pse linja zyrtare e qeverisë amerikane është se Trump nuk po ndërhyn në politikën e brendshme të Ukrainës, sjellja e presidentit amerikan dhe zyrtarëve të tij tregon pikërisht të kundërtën.
Megjithëse ekipi i Trump shpreson për humbjen e Zelenskyt në zgjedhje, ai është ende më popullor se Timoshenko dhe Poroshenko.
Prej ditësh, zyrtarët e kabinetit Trump thonë se Zelensky duhet të tërhiqet nëse nuk pranon plotësisht planin e SHBA për t’i dhënë fund luftës, edhe nëse në këtë plan përfshin lëshime të mëdha nga Ukraina.
Klan News