#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Të ftuar: Baton Haxhiu, Armand Shkullaku, Ergys Mertiri, Marsela Karapanco, Floriana Garo
Pas 333 ditësh kryedemokrati Sali Berisha është liruar nga arresti i shtëpisë, vendim i cili u caktua më 30 Dhjetor 2023. Vendimi është marrë nga gjyqtarja e GJKKO Flojera Davidhi, që ka sjellë revokimin e masës së sigurisë ndaj ish-Kryeministrit Berisha. Pas lirimit nga arresti shtëpiak kryedemokrati u prit në selinë blu të PD nga shumë simpatizantë të partisë së tij. Për lirimin e Sali Berishës nuk munguan as reagimet nga ndërkombëtarët. Të gjitha këto zhvillime diskutohen mbrëmjen e kësaj të mërkure në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan.
Ilir Meta “mollë sherri” mes Mërtirit e Shkullakut: Kujdes kur flet, je akoma në bodrum!
Në studion e “Opinion” këtë të Mërkurë u fol edhe për mënyrën si u arrestua ish-Presidenti Ilir Meta. Analisti Ergys Mërtiri e konsideroi skenë të turpshme, por vuri theksin edhe te rezistenca e tij ndaj efektivëve të policisë.
“Mua më vjen turp nga ajo skenë! Por më vjen keq që edhe refuzon e sillesh në atë mënyrë…Arrestimi nuk është me dëshirë, nëse refuzon, të marrin ata. Nuk ka arrestim me ftesë”, tha Mërtiri. Gazetari Armand Shkullaku e kundërshtoi duke thënë se duhej gjetur një formë më e “hijshme” për prangosjen e një figure aq të rëndësishme politike.
Përpos ideve të kundërta, kjo temë prodhoi debat të ‘nxehtë’ mes tyre.
Ergys Mërtiri: Këto janë abuzimet e propagandës së katit 8-të, Klement Balili u vetëdorëzua…Ç’a lidhje ka Klement Balili me këtë gjë?!
Armand Shkullaku: Kujdes kur flet! Ç’lidhje kam me propagandën e katit të 8-të? Ti je në bodrum akoma dhe po flet… Unë s’kam përballë drejtor policie, unë mendoj që kam përballë intelektual që dhuna ndaj kujtdo qoftë të shqetëson. Ka kështu njerëzish që bëhen me dhunën, kundër të drejtave të njeriut…Ku ka intelektual sot në botë që mbështet një skenë të tillë dhune? Kur ish-Presidenti merret zvarrë, nuk ka më të drejta për qytetarin e thjeshtë. E kuptoni apo jo?!! Është skenë për tregim force e përdhunimi! Skena naziste për të depersonalizuar njerëzit! Kushdo që mbështet atë skenë të regjistrohet në polici dhe të shkojë atje.
Blendi Fevziu: Kush, Ergysi?!
Ergys Mërtiri: Mua më vjen keq se qëllimi është se të vënë në cep atje dhe të etiketojnë me etiketën e duhur. E gjitha kjo është përshkrim për të nxjerrë Ilir Metën viktimën e madhe të këtij shteti.
Lirimi i Berishës, Mërtiri: Hyri me këmbët e veta brenda, tani thotë sukses që dola
Ergys Mërtiri mendon se vendimi për lirimin e Sali Berishës është normal. Sipas tij, Berisha hyri vetë me këmbët e veta në arrest shtëpie dhe tani po shitet si fitore. Lirimin e Berishës, Mërtiri e konsideron si një rikorrigjim të gabimit që bëri.
“Berisha sot nëse do i ishte bindur vendimit të gjykatës, do kishte shkuar të zbatonte masën e detyrimit paraqitje nuk do hynte në arrest shtëpie. Çfarë bëri Berisha? Berisha ishte jashtë. Hyri vetë me këmbët e veta dhe tani thotë sukses që dola jashtë. Domethënë ky ahengu i këtyre, festa e këtyre, edhe e Florianës, është thjesht se Berisha rikorrigjoi atë që bëri gabim. Pra është jashtë ndërkohë që hyri me këmbët e veta brenda”, tha Mërtiri.
Sipas Mërtirit, demokratët gëzojnë mbi një fitore të rreme pasi pas këtij viti që lideri i tyre ishte në arrest shtëpie, janë kthyer në momentin ku ishin.
“Ajo që është thelbësore është që gjithë ky gëzim që shfaqin këta tregon një gjë tjetër. Tregon që janë kaq dobët dhe kaq rëndë sa gëzohen nga një gjë ku s’ka asgjë. Kanë arritur suksesin që kishin para një viti. Bënë një vit xhiro kot, një vit njerëzit poshtë ballkonit sepse ai nuk shkon të zbatojë vendimin e gjykatës. Këta janë fiks në momentin që ishin para një viti. Kanë bërë një xhiro dhe janë kthyer fiks në momentin ku ishin. Gjithë kjo për mua tregon që këta kanë nevojë për fitore të rreme, për fitore që nuk ekzistojnë. Kanë nevojë të festojnë një gjë që nuk ka arsye për t’u festuar”, tha Mërtiri.
“Më i rëndësishëm në arrest shtëpie”, Haxhiu për Berishën: Punon për Edi Ramën…
Teksa uroi kryedemokratin Sali Berisha për lirimin e tij, analisti Baton Haxhiu tha se vendimi i drejtësisë shqiptare rreth një vit më parë vetëm sa i dha “aurën” e një njeriu të fortë.
“Më i rëndësishëm do të ishte në arrest shtëpiak, si figurë politike. Ia uroj këtë lirim, që ndoshta do e kthejë jetën politike në realitet. Nga dritarja e ka luajtur rolin e viktimës. Nuk mbahet një njeri në arrest shtëpiak për një vit, pa kuptim. Nëse do t’ja japësh aurën e një njeriu të fortë e të qëndrueshëm, bën këtë që ka bërë drejtësia shqiptare me Berishën.”
Mbrëmjen e kësaj të mërkure në “Opinion”, Haxhiu shtoi se “në pavetëdije, Berisha po punon për kryeministrin Edi Rama”. Këtë e argumentoi duke thënë se kreu i PD nuk do sjellë ndonjë ndryshim, pasi e ka konsumuar vetveten politikisht.
“Jeta në liri kërkon veprim, imagjinatë edhe vizion. Unë nuk pres këto të treja që Berisha i ka në këtë moment sepse e ka konsumuar vetveten poliitikisht, pres që të denoncojë sa më shumë. Mund të quhet një veprim…Unë nuk pres as fjalor tjetër, as mobilizim tjetër. E kam thënë dhe e mbaj qëndrimin, që pavetëdijshëm kryetari i PD punon për Edi Ramën. Nuk jep ndonjë rezultat për PD-në dhe unë besoj që është problem për të sjellë diçka në zgjedhjet e Majit”, tha Haxhiu.
Ish-kryeministri Sali Berisha u lirua pas 333 ditësh i izoluar në banesën e tij, me vendim të GJKKO-së lidhur me një aferë të ish-klubit sportiv “Partizani”.