#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Fatmir Xhafaj, deputeti i PS, ish -ministër i Brendshëm, kryetar komisioni ka hapur mjaft debate lidhur me atë se çfarë po rishikon te organet e drejtësisë. Në qendër të vëmendjes ditët e fundit edhe për shkak të dënimit të deputetit të opozitës, Ervin Salianji i cili ishte paditur nga vëllai i Fatmir Xhafajt, po ashtu edhe për një sërë akuzash politike që kanë qenë në vijim për vite me radhë. Xhafaj do të flasë për tre çështje: raporti me vëllain dhe historia me të, çështjet politike dhe të komisionit. Një komision i cili për momentin nuk kanë pranuar që të jenë të pranishme Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Posaçme, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë dhe një sërë organizatash të shoqërisë civile.

“A ke lëvizur fijet për ta burgosur Salianjin”, Xhafaj i përgjigjet Fevziut: Flas pas 6 vitesh…

“A keni qenë influencues, apo njeriu që keni lëvizur fijet për ta çuar në burg Salianjin?”, ka qenë kjo pyetja e parë që gazetari Blendi Fevziu i ka drejtuar Fatmir Xhafajt në hyrje të emisionit “Opinion” në Tv Klan.

Kësaj pyetje, Xhafaj nuk i është përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ka thënë se ka pritur 6 vjet për t’u zbardhur e vërteta në lidhje me çështjen “Babale” teksa ka shtuar se ka qenë në pritje që drejtësia të bëjë punën e vet.

Sipas Xhafajt, Salianji është dënuar sepse ka krijuar me qëllim prova të rreme për të inicuar një proces penal për vëllanë e tij me synimin që ta godiste atë si politikan dhe si ministër i brendshëm i asaj kohe.

Blendi FevziuA keni qenë influencues, apo njeriu që keni lëvizur fijet për ta çuar në burg Salianjin?

Fatmir Xhafaj: Kjo është hera e parë që flas pas 6 vjetësh në një emision televiziv për këtë gjë. E rëndësishme ka qenë e vërteta në këtë proces. Kam pritur 6 vjet për t’u zbardhur e vërteta sipas drejtësisë, kam pritur të dy shkallët e gjykimit që drejtësia të bënte punën e vet.

Unë nuk do dëshiroja të shihja një politikan në burg për kallëzim të rremë. Ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë edhe më shumë se dënimi në vetvete i një personi për efektit të dramës njerëzore, por edhe efektit që ka në politikë dhe në shoqëri. Nuk ka 2 standarde drejtësia. Ky është një shembull i mirë që tregoi që kur krijon prova të rreme, duhet të përgjigjesh për kallëzim të rremë.

Ka 6 vjet që çfarë nuk dëgjoj për këtë histori. Kam të drejtë morale në emër mbi të gjithë atyre që është hedhur baltë. Janë vrarë dhe rivrarë për fakte të pavërteta. Edhe ky është një shembull që duhet të aplikohet drejtësia. Ka plot të tilla që janë ndjekur gjyqësisht në dijeninë time. Kjo duhet të jetë rruga e vetme si duhet të zgjidhen gjërat në shoqëri.

Ervin Salianji nuk është dënuar sepse tha publikisht që vëllai im ka pasur një dënim penal dhe as sepse tha se këtë dënim nuk ishte duke e vuajtur në ato momente. Është dënuar se me qëllim ka krijuar prova të rreme për të inicuar një proces penal për vëllanë tim me synimin për të më goditur mua si politikan dhe si ministër i brendshëm në atë kohë.

Ekskluzive/ Fatmir Xhafaj flet për Babalen: Albert Veliu shkoi te Salianji, sajuan përgjimin dhe ia dhanë gazetarit

Deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka folur për herë të parë publikisht pas 6 vitesh në një emision televiziv për dosjen “Babalja”, ku ka qenë i përfolur vëllai i tij dhe çështje për të cilën u dënua me 1 vit burg deputeti i PD Ervin Salianji.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin Opinion në Tv Klan, Fatmir Xhafaj ka deklaruar se Albert Veliu, i njohur ndryshe si personazhi “Babale”, është afruar në Partinë Demokratike nga palë të treta dhe me të u takua Ervin Salianji në Tetor të vitit 2017.

Sipas Xhafajt, përgjimi i supozuar është një trillim i stisur nga Babalja dhe Salianji, që më pas këtë ia dhanë gazetarit Olldashi.

“Babalja sipas këtyre është vetëofruar. Sipas meje është ofruar nga të tretë të PD. Është takuar për herë të parë, i është besuar kjo gjë Ervin Salianjit. Në Tetor 2017, Salianji i ka kërkuar gazetarit Olldashi, nuk është gazetari Olldashi që ia ka dhënë Ervin Salianjit. Gazetari Olldashi që në atë kohë punonte në një emision investigativ, ka marrë mjetin dhe ka shkuar në Vlorë dhe rrugës në makinë ka bërë intervistë me Babalen. Ka pretenduar sikur ai i ka dhënë atij një stilolaps, ka hyrë 5 minuta në lokalin ku ishte vëllain im dhe ka dalë dhe ka thënë bëra përgjimin. Ka me qindra orë përgjime të bëra nga prokuroria, ka autorizuar përgjime prokuroria, kanë qenë në përgjim të gjithë këta pasi ka shpërthyer kjo gjë. Janë pyetur këta njerëz, kanë deklaruar në Prokurori. Jam 100% i sigurt për atë që them.

Është kthyer në Tiranë, ka shkuar te Ylli Rakipi dhe Ylli Rakipi i ka thënë që nuk e konsideron sepse ky nuk ka fakte, nuk ka prova. Këtë gjë që nuk e pranonte Ylli Rakipi e pranonte SHQUP-i sepse e bëri emision.

Ishte e gjitha një gjë fiktive, e gjitha një trillim. Ai ka shkuar te Salianji, te PD dhe te Lulzim Basha. Dhe këta e çuan te Olldashi, jo ai ka ardhur me përgjim në dorë”, u shpreh Fatmir Xhafaj.

Deputeti i PS e konsideroi Babalen si një person mashtrues dhe që njihet në Vlorë për inskenime.

Çështja “Babale”, Fatmir Xhafaj në “Opinion”: Nëse do të ishte regjistruesi, do të dilte qartazi mashtrimi publik

Pas shpjegimit të dy episodeve për  çështjen “Babale”, në intervistën ekskluzive për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Fatmir Xhafaj u ndal në pikën e radhës.

Si episod të parë ai tha se ka qenë i interesuar grupi politik  i PD për ta goditur atë politikisht dhe e sajuan të gjithë këtë duke e ngritur  mbi një mashtrues. Në të dytin, vijoi duke thënë se Babalja ka implikuar një tjetër person, ndërsa i treti është regjistrimi që sot nuk gjendet.

Xhafaj shprehet se ky regjistrim që nuk disponohet as nga prokuroria do të ekspozonte mashtrimin publik.

Fatmir Xhafa: Episodi i tretë është regjistrimi me një stilolaps që iu dha Babales dhe që ka bërë zërin Alizotin.

Blendi Fevziu: Po, kjo është e njohur, tani…

Fatmir Xhafa: Kjo është e njohur dhe kjo është servirur nga Partia Demokratike. Sot e kësaj dite askush nuk e di ku është stilolapsi.

Blendi Fevziu: As prokuroria s’e ka?

Fatmir Xhafa: As prokuroria s’e ka. Nëse kjo partia Demorkatike, nëse ky personi që do të luftonte grupet kriminale, krimin, ministrin e Brendshëm të lidhur me to, etj, pse e fshehu mjetin e regjistrimit?

Blendi Fevziu: Këtë s’di ta them por unë do të bëj një pyetje tjetër.

Fatmir Xhafa: Ta them unë se enuk ke sesi ta thuash. Ta them unë. Nëse do të ishte mjeti i regjistrimit,  do të dilte qartazi i gjithë ky mashtrim publik i ndërtuar nga disa ordinerë të zakonshëm siç ishte Babalja dhe Alizoti të bashkuar me disa mashtrues politikë

“Babalja”, Fatmir Xhafaj: Dy grupe kriminale të interesuar për këtë çështje

Ish-ministri i Brendshëm dhe deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj, ka folur për herë të parë publikisht pas 6 vitesh në një emision televiziv për dosjen “Babalja”.

Në intervistën ekskluzive në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Xhafaj u shpreh se dy gupe kriminale konkretisht ai i Elbasanit dhe i Kurbinit kanë qenë të intersëuar lidhur me këtë inskenim sipas tij për shkak të përplasjeve publike që këto të fundit kanë pasur me ish-ministrin gjatë detyrës së tij.

Ndër të tjera ish-ministri shprehet se në kundërshtim nga ajo çfarë thuhet vëllai i tij nuk ka qenë asnjëherë në burg me ‘Babalen’.

Fatmir Xhafaj: Dështoi Olldashi nuk u transmetua, dhe s’pati asnjë efekt. Pretendoi se është takuar me vëllain tim, por është ‘fake’ se këto janë qelizat telefonike. Në datën 24 Tetor ku është gjendur Babalja dhe Olldashi dhe ku është gjendur im vëlla. Këta kanë qenë në Vlorë vëllai im ka qenë në Vlorë. Nuk mund të takohet një njeri që është në Fier dhe një që është në Vlorë.

Blendi Fevziu: Por mund të ketë qenë ditë tjetër, jo atë ditë të përgjimit.

Fatmir Xhafaj: Një herë kam vajtur thotë Olldashi, ka thënë kam shkuar një herë në Vlorë dhe ka përcaktuar datën 24 Tetor.

Blendi Fevziu: Gjatë kësaj kohe vëllai juaj ishte takuar me Babalen ndonjëherë .

Fatmir Xhafaj: Asnjëherë.

Blendi Fevziu: Jeni i sigurtë për këtë?

Fatmir Xhafaj: Janë dy njerëz që jetojnë në një qytet dhe janë parë. Ka vetëm në 4 vite janë marrë tabulate e tyre dhe janë vetëm 4 telefonata të marra nga ai, nga 30 sekonda.

Blendi Fevziu: A ka qen në burg vëllai juaj me Babalen?

Fatmir Xhafaj: Seriozisht e ke këtë gjë. Kjo është të ngresh emision mbi një mashtrues.

Blendi Fevziu: Ka qenë apo jo në burg?

Fatmir Xhafaj: Jo, por jo mo jo.

Blendi Fevziu: Po pse do ta sajonte gjithë këtë histori, pse do të vetëofrohej.

Fatmir XhafajJo ky nuk u vetëofrua. Ky u ofrua dhe është ofruar nga njerëzit dhe ka qenë në interesin e Partisë Demokratike për ta bërë këtë gjë. Përfitimi ishte që do të shkonte në azil siç ndodhi me ndihmën e Partisë Demokratike, siç e ka provuar vetë Salianji. Ky ishte shkëmbimi midis tyre kundrejt 200 mijë Eurove që do të paguhej sepse qëllimi ishte që të inskenohej kundër meje dhe pas kësaj kanë qenë grupet kriminale.

Blendi Fevziu: Kush grupe kriminale?

Fatmir Xhafaj: Aq sa di unë dy grupe kriminale një i Elbasanit dhe një i Kurbinit që kanë qenë të interesuar për shkak të përplasjeve publike që kanë pasur me mua gjatë kohës që kam qenë ministër.

Blendi Fevziu: Dy grupe kriminale kanë qenë të përfshirë në këtë inskenim?

Fatmir Xhafaj: Po po, sipas meje po dhe e kanë mbështetur gjith këtë proces. Ndërkohë ka qenë i interesuar lidershipi politik i Partisë Demokratike për të më goditur mua politikisht dhe e ngritën të gjithë këtë mbi një mashtrues.

“U përzu nga burgu i Italisë me ekspuls”, Xhafaj tregon pse vëllai i tij nuk shkoi të kryente dënimin

Një një intervistë ekskluzive për “Opinion” në Tv Klan, deputeti i PS-së dhe ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka folur për herë të parë publikisht pas 6 vitesh në një emision televiziv për dosjen “Babalja”, ku ka qenë i përfolur dhe vëllai i tij, çështje për të cilën Ervin Salianji u dënua me 1 vit burg.

Gjatë fjalës së tij, Xhafaj ka folur dhe për dënimin e vëllait të tij në Itali për trafik kanabisi dhe për arsyet pse ai nuk i është dorëzuar autoriteteve italiane për të kryer dënimin me burg pas vendimit të Gjykatës së Apelit.

Blendi FevziuMinistri i Brendshëm i Shqipërisë, vëllai i  dënuar në Itali për trafiqe dhe rri në Shqipëri dhe nuk kryen dënimin, a është normale?

Fatmir XhafajNuk është dënuar për atë gjë Salianji se do të ishte dënuar dhe ti se edhe ti ke bërë emision për atë gjë, do ishte dënuar dhe Aliabej që doli me gë, edhe Gaz Bardhi, por ata erdhën në prokurori, u paralajmëruan për kallëzim të rremë dhe thanë “normalisht, ne nuk e dimë historinë e kësaj”.

Blendi Fevziu: Pse vëllai rrinte në Shqipëri dhe nuk kryente dënimin?

Fatmir Xhafaj: Kjo histori ka ndodhur në vitin 2000, në vitin 2002 është ndaluar nga autoritetet italiane. Është akuzuar për trafik në fushën e kanabisit për një episode që kishte ai vetë.

Blendi Fevziu: Është arrestuar në Itali në vitin 2002.

Fatmir Xhafaj: Po, ka qëndruar 1 muaj e gjysëm, është dëbuar nga Italia me ekspuls për 5 vjet. Është dënuar, është larguar, nuk është mbajtur nën hetim. I kanë thënë “ik italianët”, është fakt.

Blendi Fevziu: Pra, ishte në burg dhe nga burgu është përzënë?

Fatmir Xhafaj: Po, është përzënë dhe ka ardhur në Shqipëri me ekspuls, dënim administrativ. I kanë thënë “ik”. Ka vazhduar procesi gjyqësor. E ka ndjekur procesin gjyqësor me avokatë, ka kërkuar dhe vetë të shkonte, nuk e kanë kërkuar. Vendimi ka marrë fuqi në 2011-2012, vendimi i formës së prerë i Apelit.

Blendi Fevziu: Me sa u dënua nga Apeli?

Fatmir Xhafaj: Me 7 vjet e 2 muaj burg, por dënimi i tij përfundimtar, i janë falë 3 vjet dhe ka pasur 4 vjet. Autoritetet italiane e kanë arkivuar dosjen, nuk e kanë kërkuar.

Blendi Fevziu: A ka pasur një letër nga autoritetet italiane që kërkonte ekstradimin? Ka qenë vëllai juaj në kërkim ndërkombëtar?

Fatmir XhafajZero, zero.

Blendi FevziuPo avokati a e dinte që ai ishte dënuar me burg?

Fatmir XhafajPo si nuk e dinte, e dinte vetë personi.

Blendi Fevziu: Pse nuk shkoi ta bënte burgun?

Fatmir XhafajDuhet të vijë një letër që të shkosh të bësh burgun. Nuk i erdhi. Nëse vëllai im do të shkonte në gjykatën shqiptare do ta bënte njohjen e vendimit, nuk dënohej sepse ishte parashkruar.

Blendi Fevziu: Por kur shkoi në Itali, çfarë bëri?

Fatmir XhafajU paraqit me iniciativën e tij, u është dashur autoriteteve italiane që të gjenin dosjen sepse nuk kishin dosjen. Ishte e arkivuar. U nxorr dosja, u paraqit, nga 4 vjet nuk ka arritur të bëjë as gjysëm e atij dënimi. Ka dalë jashtë, ka hyrë në punë dhe ka pasur vetëm detyrimin të mos largohej nga Italia. Ka qenë në marrëdhënie pune.

Blendi Fevziu: Tani është në Shqipëri?

Fatmir Xhafaj: Ka ardhur në Shqipëri pas zgjedhjeve të 2021-shit. Që atëherë hyn e del normalisht në Itali dhe në çdo vend tjetër të planetit.

Hetues i komunizmit? Fatmir Xhafaj flet hapur për të shkuarën e tij

Jo pak herë Partia Demokratike e ka akuzuar deputetin e PS Fatmir Xhafaj si hetues të kohës së komunizmit.

Vetë Xhafaj, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, është pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse ka qenë hetues i komunizmit.

Deputeti Xhafaj e ka mohuar kategorikisht këtë fakt.

Blendi Fevziu: Në vitet ’80 keni qenë hetues procesesh politike. Një grua që pretendonte se është keqtrajtuar nga ju si hetues, pra është rrahur nga ju si hetues.

Fatmir Xhafaj: Ke bërë emision ti Fevzi.

Blendi Fevziu: Po, ka dalë zonja live nga Gjermania.

Fatmir Xhafaj: Je kënaqur me këtë gjë se e ke bërë live. Kjo është një shpifje. Kam mbaruar studimet për drejtësi, jam caktuar në rrethin e Krujës, kam filluar fillimisht si ndihmës ligjor dhe më pas kam kaluar gjyqtar. Kur kisha bërë 2 vite gjyqtar, një pjesë, jo vetëm mua, me vendim i kaluan në hetuesi për të forcuar hetuesinë. Ka një dallim, hetuesia e 1984 nuk është hetuesia e Ministrisë së Brendshme. Atëherë Prokuroria bënte kontrollin e hetimit dhe përfaqësimin në gjyq. Këta ishin pjesë e sistemit të drejtësisë. Nuk kam qenë kurrë pjesë e hetuesisë.

Blendi Fevziu: A keni bërë proces politik?

Fatmir Xhafaj: Zero!

Blendi Fevziu: Çfarë çështje keni bërë në atë kohë?

Fatmir Xhafaj: Çështja për të cilën folët është një çështje që ka filluar për vjedhje banesash, për vjedhje të pasurisë publike që quhej në atë kohë të magazinave dhe disa banesa publike në qytet. Është kapur ky grup dhe në atë kohë më ka rënë mua për pjesë ta hetoj.

Blendi Fevziu: Keni ushtruar ju dhunë ndaj këtyre personave?

Fatmir Xhafaj: Zero. Pasi kam ikur unë, gjatë hetimit kolegëve të mi ju kanë dalë elementë të rinj. Unë kam ikur në gjysmë të procesit. Hapeni dosjen, po gjetët një firmë timen për çështje politike.

Blendi Fevziu: U nisëm nga dëshmia e zonjës.

Fatmir Xhafaj: Ti si gazetar shko verifikoje meqë e ke pasur me pasion këtë gjë, je marrë personalisht me këtë gjë.

Blendi Fevziu: Jam marrë personalisht me çdo çështje që del. Nuk jam marrë me ty personalisht.

Vëllai i Xhafajt i përfshirë në trafik droge? Ish-ministri zbulon çfarë kanë thënë ndërkombëtarët

Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj deklaroi në emisionin Opinion se vëllai i tij ka qenë i përfshirë në një rast trafiku droge në vitin 2002 në Itali, çështje për të cilën është rehabilituar dhe ka shlyer dënimin penal.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Xhafaj është pyetur nëse është përfshirë vëllai i tij në trafik droge pas vitit 2002, sidomos gjatë kohës kur në pushtet erdhën socialistët dhe në krye të Ministrisë së Brendshme ishte vetë Xhafaj.

Ky i fundit ka mohuar kategorikisht që vëllai i tij të jetë përfshirë në aktivitet ilegal gjatë kësaj periudhe, e sipas tij, kjo është verifikuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

“Ka ardhur në 2002. Në 22 vjet janë dhënë lloj-lloj dokumentesh dhe im vëlla nuk ka asnjë lloj precedenti kriminal apo shkelje ligji. Nuk figuron, i kam verifikuar vetë, i kanë verifikuar partnerët po ta dish se kam qenë ministër i Brendshëm.

Nga 2002 ky njeri ka qenë në Shqipëri. Nga 2005-2013 PD ka qenë në pushtet. Këta që flasin kanë qenë ministra të Brendshëm. PD në vitin 2010 ka bërë sulm të egër për rastin e vëllait. Si ka mundësi që nxjerrin një dosje nga pluhuri dhe nuk nxjerrin një shkelje të vëllait tim? Edhe pas 2013 SHISH e kanë pasur këta, ka qenë Vishjo Ajazi, kam repsekt për të. Deri në 2017 dosjet e dhëna nga SHISH për trafik kanabisi ishin me mijëra faqe. Në asnjë rresht nuk figuron jo vëllai im, por asnjë lidhje familjare që ka të bëjë me mua. Në 2017-2018 janë 2 vitet që kanë numrin më të ulët të rasteve kanabis në Shqipëri, është gati 0. Kam qenë unë ministër i Brendshëm. Disa grupe kriminale janë goditur në atë kohë për këtë gjë”.

Deputeti Xhafaj theksoi se pasi denoncimi i Salianjit u bë publik, vëllai i tij shkoi në Itali për të kryer vitet e mbetura të dënimit, siç u shpreh ai, “sepse nëse do rrinte këtu do bënte njohjen e vendimit dhe do thonin nuk e dënuan se është vëllai i ministrit”.

Fatmir Xhafaj përlotet në “Opinion”: U kërkoj falje familjarëve për dhimbjen që u kam shkaktuar

Në fillim të pjesës së dytë të intervistës së tij ekskluzive në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Fatmir Xhafaj i kërkoi disa sekonda kohë gazetarit Blendi Fevziu. I përlotur,  Xhafaj u kërkoi falje publikisht familjarëve të tij për dhimbjen që ka shkaktuar karriera e tij politike. Deputeti i PS kujtoi edhe fjalët e nënës së tij që i rëndojnë ende sot.

Xhafaj shtoi se në 25 vite që është i pranishëm në parlament nuk mund t’i gjejnë asnjë abuzim detyre apo favorizim. Ai tha se ka pasur fakte e prova për familjarët e akuzuesve të tij që nuk i ka publikuar kurrë, ndërsa këta të fundit i kanë kërkuar falje.  

Fatmir Xhafaj: Më lër 30 sekonda t’u kërkoj falje familjarëve të mi, shumë falje. Gjithë familjarëve të mi t’i kërkoj falje, nipërve dhe mbesave, edhe fëmijëve të atij vllait tim për dhimbjen që u kam shkaktuar. Të gjitha ato që vuajnë ata, vuajnë vetëm sepse unë kam qenë në politikë. Nëse unë nuk do të isha këtu ku  jam dhe nuk do të kisha bërë këto, ata nuk do t’i kishin vuajtur këto, do të ishin njerëz të zakonshëm, do të kishin ndenjur në qetësinë e tyre. Nëna ime më ka thënë një herë shumë mirë, ‘Biri im, nuk kam vetëm një fëmijë, janë edhe këta të tjerët.

Blendi Fevziu: Jam shumë dakord, por a e keni menduar Xhafaj, ky lëndim është vetëm për ju apo ka qenë edhe për deputetë të tjerë?

Fatmir Xhafaj: Si?

Blendi Fevziu: A e mendoni që ky lëndim mund të ketë qenë për shumë njerëz të tjerë politikë dhe për ata që janë kundërshtarët e tu?

Fatmir Xhafaj: Kjo nuk do të thotë gjë. Hapeni, kam 25 vjet që flas në atë parlamnt, media e të gjitha.  Nuk gjendet një rast i vetëm që unë të kem fyer njeri. Nuk gjendet një rast i vetëm që unë të jem marrë me familjarët e njeriu. Dhe po të them një gjë tjetër. Megjithëse për shkak të detyrës, kam pasur fakte e  prova edhe për vëllezërit e këtyre personave që më kanë akuzuar mua që ta dish, kurrë nuk i kam  përdorur.

Blendi Fevziu: Këtu pastaj duhet të kishte vepruar ligji në qoftë se ju kishit fakte.

Fatmir Xhafaj: Janë thënë publikisht gjërat, kanë dalë në media por kurrë prej meje. Më kanë kërkuar falje, u ka ardhur turp sepse e mendonin që me hallin që më zuri mua, unë do të dilja aty e do t’u thosha të 99-at çfarë kisha, por unë thashë jo, unë nuk merrem me familjarët tuaj, nuk kam punë me familjarët tuaj, ata kanë punët e tyre, ligji, drejtësia, siç kanë, por nuk shfrytëzoj familjarët, nuk shfrytëzoj hallin se është dhimbje kjo, e di ti çfarë është? Të të ndodhë një gjë e tillë është dhimbje!

Xhafaj ritheksoi se nuk ka favorizuar asnjëherë një familjar tijin. Madje ai tha se kjo u ka kushtuar atyre pasi nuk kanë qenë të lirë për të bërë çfarë dëshironin, ndërsa shprehu mirënjohjen e thellë.

Fatmir Xhafaj: Unë po të deklaroj këtu: kam 25 vjet, kam qenë 4 herë ministër i Ndërtimit dhe i Turizmit, kam firmosur me dhjetëra leje ndërtimi, me dhjetëra toka etj, ministër i Brendshëm, ministër i Drejtësisë në këtë vend dhe deklaroj me përgjegjësi, nuk gjendet njjë rast i vetëm që të kem shfrytëzuar postin tim, funksionin tim për të përfituar një familjar imi. Përkundrazi, familjarët e mi kanë vuajtur për këtë shkak. Nuk kanë qenë të lirë të bënin atë të cilën dëshironin të bënin për shkak se ishin familjarët e mi dhe për këtë unë u jam mirënjohës atyre që nuk më kanë vënë në pozitë të vështirë. Nuk ka një rast, një rast në media. I vetmi rast, 22 vjet që më tundin përpara syve është historia e dhimbshme e një djali të ri 22 vite më parë. Nuk ka një rast që kam favorizuar për 1 euro, për 1 metër katror me pushtetin tim, një familjarin tim.

Fatmir Xhafaj zbulon arsyet e dorëheqjes si ministër: Nuk më hoqi Edi Rama, e dhashë me shkrim

Një një intervistë ekskluzive në emisionin “Opinion” në Tv Klan, deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka folur për herë të parë publikisht pas 6 vitesh në një emision televiziv për dosjen “Babalja”.

Ndër të tjera lidhur me këtë çështje, Xhafaj është pyetur nga gazetari Fevziu për arsyen e dorëheqjes si ministër dhe nëse ka qenë kryeministri Rama që e ka larguar. Socialisti është shprehur se ai ka dhënë vetë dorëheqjen dhe se kryeministri Edi Rama është njohur me këtë vendim përmes dokumentit të shkruar.

Gjithashtu Xhafaj ka theksuar se jo vetëm Kryeministri, por edhe partnerët strategjik që sipas tij i kanë kërkuar që të mos japë dorëheqjen, nuk kanë qenë në dijeni për këtë vendim dhe se këtë gjë e dinte vetëm familja e tij. Xhafaj zbulon edhe arsyet e këtij vendimi.

Blendi Fevziu: Pse ju largoi Rama nga ministër i Brendshëm?

Fatmir Xhafaj: Nuk më ka larguar Rama, kam ikur unë.

Blendi FevziuPse?

Fatmir Xhafaj: Kam dhën dorëheqje me shkrim. Edi Rama e ka marrë vesh që unë po iki nga ministër kur i ka shkuar dorëheqja me shkrim. Jo vetëm Edi Rama, por edhe partneret e kanë marrë vesh kur e kanë parë në media. Megjithëse kishin ardhur në zyrën time partnerët strategjik të këtij vendi dhe më kishin kërkuar që asnjë mënyrë nuk duhet të ikja e të lija detyrën për këtë gjë sepse ishin të bindur në pafajësinë time dhe në drejtësinë e asaj që po bëja.

Blendi Fevziu: Po pse e dhatë dorëheqjen se këtë se di?

Fatmir Xhafaj: Që unë kam dhënë dorëheqjen e kanë ditur vetëm familja ime dhe tekstin e dorëheqjes e ka korrigjuar vajza ime e madhe që është kritikja ime më e madhe për çdo gjë që bëj.

Fatmir Xhafaj:Dorëheqjen e kam dhënë për disa arsye sepse e gjithë kjo gjë u bë e padurueshme në një moment dhe po vinte në dyshim integritetin tim. Mbi Policinë u ushtrua një trysni e madhe. Natyrisht çfarëdo të ndodhte duke qenë unë ministër i Brendshëm asnjë nuk do ta besonte dhe mua më interesonte më shumë e vërteta e familjes sime sesa karrigia ime. Nëse unë do të isha ministër i Brendshëm të gjithë do të thoshin që nëse do jepej ky vendim që u dha të gjithë do të thoshin që e ka futur në burg ministri i Brendshëm. Kjo ishte një arsye. Natyrisht mund të kishte edhe arsye të tjera dhe kanë qenë një tërrësi faktorësh. Vendosa një ditë të bukur dhe u largova.

Fatmir Xhafaj pranon ftohjen e marrëdhënieve me Ramën: Sot jemi ndryshe

Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka pranuar ftohjen e marrëdhënieve me Kryeministrin Edi Rama që prej zgjedhjeve të vitit 2021.

Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, deputeti Fatmir Xhafaj foli për raportin mes tij dhe Kryeministrit, për të cilin tha se marrëdhënia mes tyre është përmirësuar kohët e fundit që prej ngritjes së Komisionit Parlamentar Antikorrupsion, që drejtohet pikërisht nga Xhafaj.

“Kam pasur një periudhë që ka qenë një komunikim minimal, për të mos thënë… Ishte një proces që ishte ndërtuar midis nesh para zgjedhjeve të 2021, nuk kishim komunikim të shpeshtë, ose kishim komunikim të rrallë. Për momentin ka një marrëdhënie ndryshe për shkak të komisionit, dhe vetëm për komisionin.

Kam bërë disa biseda të gjata me të për komisionin, ai më ka dëgjuar me shumë vëmendje, më ka pyetur si funksionon qeveria, si i mendon ti këto çështje që kemi ne, në fund më ka thënë ok po të ftoj ta marrësh përsipër ti këtë.

I kam thënë, po të pyes këtë gjë do ta bëjmë kështu? Ka thënë po. Ke tabu? Se mund të vijë opozita, mund të vijnë ekspertët. Më tha kam vetëm një gjë, jeni të lirë të ndryshoni çdo gjë, dy gjëra kërkoj: Të ftohem të debatoj me ju dhe e dyta nëse do vendosni një gjë të jetë e certifikuar nga BE”, është shprehur Fatmir Xhafaj për raportin e tij me Kryeministrin Edi Rama.

Komisioni Antikorrupsion/ Xhafaj: Vazhdim i Reformës në Drejtësi, sfidë që edhe unë jam i shqetësuar

Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj ka folur në mënyrë të detajuar në lidhje me Komisionin Antikorrupsion apo siç njihet ndryshe dhe si “Komisioni Xhafaj”.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Xhafaj ka thënë se ky komision është vazhdim i Reformës në Drejtësi. Më tej, Xhafaj ka theksuar se komisioni ka pëlqimin e ndërkombëtarëve, por ka shtuar se është një sfidë shumë e madhe pasi prek fusha sensitive.

Blendi Fevziu: Komisioni Xhafaj, çfarë po kërkon? A po kërkon të zhbëjë reformën në drejtësi? A po tenton ky komision të mbyllë ato pika ku drejtësia mund të depërtojë për të gjetur lidhjet e krimit me politikën?

Fatmir Xhafaj: Ky është një spekulim i pastër politik dhe mediatik, nuk ka asnjë të vërtetë në këtë gjë. Nuk ka një dokument që të jetë i shkruar për këtë gjë.

Blendi Fevziu: Cili është subjekti i tij?

Fatmir Xhafaj: Ky komision është vazhdim i Reformës në Drejtësi, por nuk do të prekë Reformën në Drejtësi. Është e fokusuar në 3 shtylla. Shtylla e parë është “mirëqeverisja”, shtyllla e dytë “si mund ta bëjmë qeverinë më transparente”, shtylla anti-korrupsion për ta parandaluar dhe për ta ndëshkuar. Bëmë reformën në drejtësi, tani është e nevojshme të ngremë edhe institucionet e tjera të kenë të njëjtin anagzhim si dhe SPAK-u. Shtylla e tretë është “sundimi i ligjit” që ka 3 komponentë që të ketë transparencë ky proces, Kuvendi ka 2 funksione themelore për ta bërë më eficent Kuvendin. Mund të mos bien dakord ekspertët. Kuvendi ka 2 funksione themelore, ligjvënien dhe mbikqyrjen.

Blendi FevziuKush janë 4 apo 5 pikat kryesore që i ke në mendje për t’i diskutuar në Komision?

Fatmir Xhafaj: Ky është njëlloj kurthi që nuk mund të bie unë. Qëllimi ta përshpejtojë integrimin e vendit. E domosdoshme që vendi të përballet me disa sfida. Ne thamë që po i japim një ritëm të ri përmes një komisioni të posacëm sepse Kuvendi mund t’i mbledhë të 3 pushtetet. Ne kemi bërë atë që bëmë me drejtësinë, kemi ngritur një grup ekspertësh.

Blendi Fevziu: Pse janë të shqetësuar ndërkombëtarët?

Fatmir XhafajGënjeshtër e madhe, nuk ka asnjë shqetësim ndërkombëtar. Çdo dokument është certifikuar nga ndërkombëtarët. Kryeministri e ka diskutuar në nivele më të larta në DASH dhe në Bruksel, i kanë thënë se nëse ndodh kjo, Shqipëria do të japë një model tjetër. Kjo është një sfidë dhe reformë e madhe, nuk e di a do ja arrijmë dot. Sfidë që edhe unë vetë jam i shqetësuar dhe kolegë të tjerë janë të shqetësuar sepse prek fusha sensitive. Ne kishim 3 arsye për t’u marrë me çështjet e drejtësisë, detyrat e shtëpisë që i ka sjellë BE-ja, mund t’i bëjë vetëm Kuvendi. Vetë institucionet e drejtësisë kanë bërë propozime për ndryshime ligjesh, 140 amendamente.

Blendi Fevziu: Pse nuk marrin pjesë kur i kanë sjellë vetë?

Fatmir Xhafaj: Janë ata vetë që e kanë kërkuar këtë proces. Ka nga ata që thonë, ata i kanë sjellë, ne i miratojmë. Gjë që është naïve, për të mos thënë diçka më shumë, e papranueshme. Vetë ato, një pjesë e tyre bie në konflikt me njëra-tjetrën. Ne po mendojmë të ecim me strukturën normale. Ju thamë atyre, hajde bëni vetë analizën dhe na e sillni ne ta kalojmë në kuvend, ata thanë jo, ne do të kontribuojmë, por bëjeni ju. Do të bëjmë ne analizën dhe në fund do të nxjerrim produktin. Ky është i konsultuar me partnerët ndërkombëtarë.

Fatmir Xhafaj: Si më përzgjodhën në foton me Enver Hoxhën

Nëpër rrjetet sociale dhe në internet qarkullon një foto e vjetër e Fatmir Xhafaj kur ka qenë i ri me ish-diktatorin Enver Hoxha. Kjo foto daton në vitin 1981.

Në një intervistë të gjatë për emisionin Opinion në Tv Klan me gazetarin Blendi Fevziu, deputeti i PS u pyet edhe për realizimin e kësaj fotoje.

Xhafaj ka sqaruar situatën se si ndodhi që u përfshi në foto me Enver Hoxhën.

“Kam qenë student, ka qenë viti ‘81, 2 vite përpara për shkak të ngjarjeve në Kosovë vinin studentë kosovarë dhe sillnin buqetë me lule. Në ‘81 ndodhën ngjarjen dhe nuk erdhën dot studentët kosovarë, por sollën buqetën me lule. Një ditë përpara na thanë që nesër atje. M’u duk një gjë e çuditshme. Më zgjodhën sepse unë isha student te Juridiku, isha student i mirë, aktivist shoqërie, merresha me rininë në atë kohë. Unë kam qenë 20 vjeç djalë. Vlorën dhe Tiranën kisha parë. Kaq dija”, deklaroi Fatmir Xhafaj.

/tvklan.al